Vendosni fjalën kyçe....

Ministri rus paralajmëron BE-në: Çmimet e larta të gazit do vazhdojnë për disa vite


Çmimet e gazit në BE do të mbeten të larta edhe për disa vite të tjera, kështu tha të premten zëvendëskryeministri rus dhe ish-ministri i energjisë, Aleksander Novak, duke paralajmëruar për probleme serioze në të gjithë Evropën kur të fillojë periudha vjeshtë-dimër.

Duke folur në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut, Novak tha se bllokut i duhet të pompojë 40-45 miliardë metra kub (bcm) të tjera gaz përpara fillimit të sezonit të ngrohjes, një sasi e barabartë me furnizimet ruse me vlerë rreth katër muaj.

Në vitin 2021, BE importoi 155 bcm gaz natyror nga Rusia, që përbën rreth 45% të importeve të saj të gazit dhe afër 40% të konsumit të saj total të gazit.

Duke folur për gjendjen aktuale të industrisë ruse të naftës dhe gazit, Novak tha se marsi ishte më i vështiri për industrinë, por që kompanitë janë përshtatur që atëherë me ndryshimet.

Novaku vuri në dukje se prodhimi i gazit mund të ulet me rreth 4-5% këtë vit në 730-750 miliardë metra kub, duke sugjeruar megjithatë se rënia nuk do të ndihej shumë pasi prodhimi i gazit ishte në nivele rekord një vit më parë.

Rusia gjithashtu ka filluar të furnizojë BE-në me më shumë gaz natyror të lëngshëm (LNG), shtoi ai.

Duke folur në forum të enjten, Novak raportoi se deri në 95% të gazit rus të furnizuar në bllok tani paguhet në rubla, pasi shumica e klientëve kanë pranuar kushtet e pagesës të Moskës që u prezantuan në fund të marsit.