Vendosni fjalën kyçe....

Motra e Nuredin Dumanit u pajis me certifikatë sigurie për Nato-n në kulmin e rrëfimeve të bujshme të vëllait – Reagimet në media e politikë


Në kulmin e rrëfimeve të Nuredin Dumanit, motra e të penduarit të drejtësisë, Xhuljana Dumani, rezulton e pajisur me certifikatë sigurie të Nato-s nga DSIK.

Ditën e djeshme CNA.al publikoi një dokument që e vërtetonte këtë dhe në politikë e në media ka nisur zhurma.

Kush ia dha Xhuljana Dumanit këtë çertifikatë sigurie dhe pse i jepet asaj një çertifikatë sigurie?

Xhuljana Dumani ishte e punësuar në dikasterin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, por rreth një muaj pasi vëllai i saj ka nisur rrëfimin për dhjetëra vrasje mafioze, atë e kanë lëvizur nga pozicioni i saj në Ministrinë e Jashtme, duke e cuar në një nga drejtoritë që mban informacionet sekrete që i shkojnë ministrisë nga partnerët ndërkombëtarë dhe e kanë pajisur me certifikatë sigurie të Nato-s.

Kush ia dha Xhuljana Dumanit çertifikatën e sigurisë?

Siç raportoi dhe CAN.al, certifikata e sigurisë i është lëshuar zonjës Dumani në cilësinë e zyrtares së Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në Drejtorinë e NATO-s dhe është nënshkruar me datë 6.06.2022 nga Drejtori i Përgjithshëm i DSIK-së, Dorian Tola. Në dijeni është vënë dhe Drejtori i Drejtorisë së Vettingut dhe Sigurimit Industrial Mark Ndreca.

Kështu, ministria e Jashtme i ofron NATO-s, si personel sigurie motrën e Nuredin Dumanit.

Por pasa se të lëshohej kjo certifikatë sigurie, kishte disa etapa të tjera ku të tjera institucione me rëndësi do përfshiheshin në proces. Sipas ligjit, DSIK, si institucioni përgjegjës, administon më parë përgjigjet nga institucione të tjera, për të parë nëse një individ i plotëson kushtet e përcaktuara për njohjen, ruajtjen, administrimin dhe transferimin e informacionit të klasifikuar.

DSIK kështu krijon një komision me përfaqësues të SHISH, SHIK Tiranë dhe pasi konfirmojnë informacionet e dala nga këto institucione, personi merr certifikatën e sigurisë.

Kështu në dhënien e kësaj certifikate sigurie, të gjithë këta institucione kanë qenë përgjegjëse: që nga kreu i SHIK-ut, kreu i DSIK-së, kreu i SHISH-it.

Kujtojmë se DSIK, ka larguar me dhjetra gjyqtarë dhe prokurorë nga detyra gjatë Vettingut, thjesht dhe vetëm me fjalën “kontakte të papërshtatshme”, që kanë pirë një kafe me një person rolin e të cilit as nuk e dinin etj. Por motra e një vrasësi serial konsiderohet e përshtatshme për një certifikatë sigurie.

REAGIMET NGA POLITIKA

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ka reaguar për skandalin dhe me anë të një statusi në rrjetet sociale, kërkon dorëheqjen e ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.

“Dorëheqja është më e pakta!!!”– shkruan ai, teksa shpërndan një reagim të analistit Ylli Dylgjeri.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha i cili thotë se ky skandal dëshmon lidhjet e tmerrshme të niveleve më të larta të qeverisë me krimin.

“Super skandal i ri!

Banda qeveritare e Elbasanit e pajisur me çertifikatë sigurie për Nato.

Miq,

Njëra prej bandave më të rrezikshme në Europë dispononte edhe çertifikatë sigurie për NATO-n.

Mediat informojnë sot se më datë 06.06.2022, motra e vrasësit serial Nuredin Dumani u pajis nga drejtori i përgjithshëm i DSIK, i cili varet direkt nga Edi Rama, me çertifikatë sigurie për të lexuar edhe dokumentat sekrete të NATO-s. Kjo u bë me kërkesë të Ministres së Jashtme Olta Xhaçkës.

Ky super skandal ndodhi pikërisht në ditët kur i vëllai i saj depononte në prokurori serinë e vrasjeve me pagesë që ai ka kryer, por edhe lakimin e Taulant Ballës dhe qeveritarëve të tjerë të lartë si të përfshirë në veprimtaritë e bandës.

Dënoj me forcën më të madhe këtë superskandal që dëshmon lidhjet e tmerrshme të niveleve më të larta të qeverisë me krimin.”- shkruan kreu i Partisë Demokratike.

Deputeti i PD-së Belind Këlliçi pas këtij informacioni, shkruan se qeveria shqiptare ka “lidhje gjaku” me krimin.

“Skandali i ditës

Motra e vrasësit me pagesë Nuredin Dumani ka akses të certifikuar në informacionin e klasifikuar shtetëror.

Xhuljana Dumani, zyrtare në Drejtorinë e NATO-s në MPJ, është e pajisur me certifikatë sigurie.

Kjo qeveri ka lidhje gjaku me krimin. Kjo qeveri e ka krimin në shtëpi.”– shkruan Këlliçi në rrjetet sociale.

REAGIME NGA MEDIAT

Gazetari Artan Hoxha ka komentuar këtë lajm duke ironizuar SPAK-un i cili paralajmëronte mediet kundër publikimit të rrëfimeve të Dumanit, duke i kërcënuar edhe me 5 vite burgim.

“Epo paska të drejtë SPAK-u, që na urdhëron, se nëse flasim për Nuredin Dumanin, do të dënohemi me 5 vite burg!!!!

Ky dreq Nuredini paska mbajtur ‘laps e letër’ edhe për sekretet e NATO-s, lëre pastaj për kë ka vrarë dhe kush e ka porositur vrasjen…”– shkruan Hoxha.

Gazetarja Klodiana Lala gjithashtu e ka komentuar këtë lajm duke thënë se “Elvi Fundo ka zbuluar sot një skandal që dëshmon për implikim shumë të rëndë të institucioneve shqiptare. Lidhet me një pjesëtar të familjes së Nuredin Dumanit. Faktet e bëra publike janë tronditëse për mënyrën sesi funksionon shteti.”

Analisti Ylli Dylgjeri kërkon që ministrja Olta Xhaçka të largohet nga detyra dhe e quan këtë një skandal mbi skandalet.

“Olta Xhaçka të japë dorëheqjen e menjëhershme!

Si mund të mbahet akoma Ministre për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhacka?

Ky është Skandal mbi skandale!

Lajmi i fundit për emërimin dhe pajisjen edhe me ‘Certifikaten e Sigurimit të Personelit’ në Institucionin më të lartë për Europën dhe punët e Jashtme të Xhuljana Agim Dumanit i kalon parashikimet e gjithkujt për seriozitetin e këtij shteti të korruptuar e inkriminuar. Sot Olta Xhaçka duhet të largohet me përçmim nga detyra. Turp!”– shkruan Dylgjeri.