Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria holandeze u kërkon falje veteranëve të Srebrenicës: Ju çuam në një mision të pamundur


Qeveria holandeze u ka kërkuar falje qindra ish-ushtarëve të dërguar për të mbrojtur Srebrenicën gjatë luftës në Bosnjë.

Kryeministri Mark Rutte tha se trupat nuk ishin pajisur për të ndaluar masakrën dhe iu kërkua të kryenin një “detyrë të pamundur”.

Në korrik të vitit 1995, rreth 8 mijë burra myslimanë u masakruan pasi forcat holandeze u pushtuan nga trupat serbe të Bosnjës.

Më parë, qeveritë holandeze kanë këmbëngulur se faji është i OKB-së për dështimin në ofrimin e mbështetjes ajrore.

Por duke folur me veteranët në një bazë ushtarake në Holandën qendrore të shtunën, kryeministri Rutte pranoi se trupat e forcës paqeruajtëse Dutchbat III kishin hasur në vështirësi sepse “mandati juaj, pajisjet tuaja dhe mbështetja ushtarake që morët gjatë misionit tuaj ishin të gjitha të pamjaftueshme” për një mision që në fund rezultoi i pamundur të realizohej”.

“Sot u kërkoj falje në emër të qeverisë holandeze të gjitha grave dhe burrave të Dutchbat III. Të gjithë ju këtu dhe atyre që nuk janë me ne sot.”- u tha Rutte veteranëve sipas BBC-së.

“Me vlerësimin dhe respektin më të madh të mundshëm për mënyrën në të cilën Dutchbat III vazhdoi të përpiqej të bënte gjënë e duhur, në rrethana shumë të vështira, edhe kur kjo nuk ishte më e mundur.”

Përveç kërkimit të faljes, ushtarëve të vendosur në Srebrenicë iu dha edhe Medalja e Bronztë e Nderit nga Ministrja e Mbrojtjes Kajsa Ollongren.

Në korrik 1995, në mes të një fushate gjenocidi nga forcat serbe të Bosnjës, mijëra muslimanë ikën në një zonë të sigurt të OKB-së në Srebrenicë. Ata mbroheshin nga trupa holandeze të pajisura lehtë, të cilat u pushtuan shpejt gjatë një avancimi të serbëve të Bosnjës.

Pasi siguruan dorëzimin e forcave holandeze, trupat serbe të Bosnjës nën gjeneralin Ratko Mlladiç morën mënjanë burra dhe djem nga mosha 12 deri në 77 vjeç me arsyetimin se do të “merreshin në pyetje”. Gjatë pesë ditëve të ardhshme, burrat e fëmijët u ekzekutuan dhe u varrosën në varre masive nga trupat e Mlladiç. Serbia gjithmonë e ka mohuar që vrasjet ishin pjesë e një fushate gjenocidi, por pranon se ishte një krim.