Vendosni fjalën kyçe....

Autoriteti i Konkurrencës mbyll monitorimin për bankat: Kanë ndjekur rekomandimet e vitit të kaluar


Autoriteti i Konkurrencës ka mbyllur monitorimin e zbatimit të vendimit të marrë vitin e kaluar, që vendoste disa detyrime për katër bankat më të mëdha në vend.

Në vendimin e datës 4 mars 2021, “Për mbylljen, me kushte dhe detyrime, të procedurës së hetimit të thelluar në sektorin bankar për Bankën Raiffeisen, Bankën Kombëtare Tregtare, Bankën Credins dhe Bankën Intesa SanPaolo” për periudhën 2019-2020, Komisioni i Konkurrencës vendosi t’u rekomandojë bankave të mësipërme të eliminojnë kostot penguese, duke lehtësuar dhe lëvizshmërinë e klientit mes bankave dhe të zgjerojnë gamën e shërbimeve dhe produkteve nëpërmjet platformave dixhitale.

Vendimi parashikonte edhe monitorimin e sjelljes së bankave për një vit nga marrja e vendimit.

Gjatë periudhës së monitorimit, Komisioni i Konkurrencës konstatoi se katër bankat kanë ofruar paketa me produkte shërbime të kombinuara, për të plotësuar më mirë nevojat e individëve për shërbime bankare, të cilat kanë çuar në uljen e tarifave dhe komisioneve të tyre, por nuk kanë ndërmarrë ndryshime në politikat e tyre në lidhje me komisionet e transferimit të kredive mes bankave apo penalitetet e likuidimit të parakohshëm të kredisë, me përjashtim të Bankës Intesa Sanpaolo.

Ligjërisht, bankat kanë të drejtë të aplikojnë penalitete për mbylljen e parakohshme të kredive, por niveli i tyre në produktet e kredisë për individë është i kufizuar nga rregullorja e Bankës së Shqipërisë “për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”.

Për kreditë hipotekare, penaliteti nuk mund të jetë më i lartë se 2% e shumës së kredisë së paguar para afatit, nëse periudha midis shlyerjes para afatit dhe maturimit të kredisë është mbi 1 vit dhe 1% të shumës së kredisë së paguar para afatit, nëse periudha midis shlyerjes para afatit dhe maturimit të kredisë nuk kalon 1 vit.

Për kredinë konsumatore, nëse periudha midis shlyerjes para afatit dhe maturimit të kredisë është mbi 1 vit, penalitetu nuk tejkalon 1% të shumës së kredisë së paguar para afatit dhe nëse kjo periudhë nuk kalon 1 vit, kompensimi nuk tejkalon 0.5% të shumës së kredisë së paguar para afatit.

Gjithashtu, në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës citohet konkluzion se bankat kanë orientuar shërbimet e tyre drejt përdorimit të platformave digjitale, shtimit të numrit të shërbimeve, uljen e kostove (pothuajse të gjitha shërbimet e ofruara janë pa komisione) dhe edukimit të publikut për shërbimet e reja digjitale, duke plotësuar rekomandimet e tjera të dhëna.

Hetimi i thelluar në sektorin bankar u hap në fillim të vitit 2019 dhe përfshinte periudhën mes 1 janarit 2016 dhe 31 dhjetorit 2018.

Në përfundim të hetimit të thelluar, Autoriteti i Konkurrencës pati vendosur detyrimin e bankave për të rishikuar drejt uljes brenda një viti nga marrja e vendimit komisionet e shërbimeve bankare për produktet e depozitave, kredive si dhe për shërbimet e transfertave e pagesave.

Gjithashtu, ato duhet të ndryshonin normat e interesit për produktet depozita dhe kredi me synim ngushtimin e marzhit midis normave respektive.

Nga hetimi i thelluar i tregut të shërbimeve dhe produkteve bankare, rezultoi se tregjet me nivelin më të lartë të përqendrimit janë tregu i llogarisë rrjedhëse, tregu i kredisë konsumatore, tregu i kredisë kufi (overdraft), tregu i transfertave bankare hyrëse dhe tregu i transfertave bankare dalëse.

Por, bankat e prekura kundërshtuan konkluzionet e hetimit dhe tre prej tyre e paditën Autoritetin e Konkurrencës në Gjykatën Administrative, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit në fjalë.

Dy prej tyre, megjithatë, u tërhoqën nga padia, pasi Autoriteti i Konkurrencës mori një vendim të dytë në mars 2021, ku shprehej se, nga monitorimi i tregut, i vlerësonte të përmbushura detyrimet e vendosura në vendimin e muajit nëntor 2020.

Vendimi i muajit mars, “Mbi monitorimin e vendimit nr. 723, datë 17.11.2020”, arrinte në përfundimin se “bankat kanë miratuar ndryshime në norma interesi për depozitat, kreditë dhe komisionet e shërbimeve në përputhje me kushtet dhe detyrimet e përcaktuara në vendim dhe të painfluencuara nga vendimmarrja e Komisionit të Konkurrencës”.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, aktiviteti i bankave ka reflektuar kushtet e tregut vendas dhe ndërkombëtar si dhe politikat konkurruese të bankave pas monitorimit të tregut dhe komunikimit me bankat, ky institucion i vlerëson të përmbushura detyrimet e vendosura në vendimin e muajit nëntor dhe që erdhën si rezultat i hetimit të thelluar të shërbimeve dhe produkteve bankare.

Të vetmet rekomandime që Autoriteti kishte lënë në fuqi në vendimin e muajit mars janë eliminimi i kostove penguese, duke lehtësuar lëvizshmërinë e klientit mes bankave, si edhe zgjerimin e gamës së shërbimeve dhe produkteve nëpërmjet platformave dixhitale. / E. Shehu.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor