Kryetari i PD Sali Berisha deklaroi sot në një konferencë shtypi se kryeministri Edi Rama “shkoi në Kosovë duke mos njohur dhe duke mohuar genocidin serb ndaj Kosovës”.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me mbledhjen e sotme mes dy qeverive, Berisha tha se nëse Rama do kishte “minimumin e respektit” në Kosovë do shkonte duke e njohur këtë gjenocid.
Më pas ironizoi marrëveshjet e lidhura sot, duke thënë se shqiptarët presin dyshtetësinë duke zbuluar se kjo, khrahas njohjes së gjenocidit dhe heqja e Taksës në Rrugën e Kombit do jenë gjërat e para që do bëjë kur të vijë në pushtet PD.
“Sot, Edi Rama dhe kabineti i tij, ndodhen në Kosovë. Normalisht, çdo mbledhje e përbashkët, është akt që duhet të përshëndetet.
Mirëpo Edi Rama, nëse do të kishte minimumin e respektit për qytetarët e Kosovës, vuajtjet dhe sakrificat e tyre në më shumë se 150 vitet e fundit, duhet të shkonte në Kosovë, duke njohur gjenocidin serb në Kosovë, duke njohur infanticidin. Janë 1400 engjëj, vogëlushë, qenie të pafajshme, të cilët u vranë, u therën, u dogjën vetëm e vetëm për fajin se kishin prindër shqiptarë.
Pra, mendoj se në këtë aspekt, mohimi që ai i bën gjenocidit ciklik serb në Kosovë, që fillon nga gjysma e dytë e shekullit të 19-të dhe përfundon me operacionin ‘Patkoi’ në vitet ‘98-‘99, është një aktakuzë shumë e rëndë për karakterin, për ndërgjegjen e tij kombëtare, por edhe për vlerat e qytetarinë e tij.
T’i mohosh këto, është një lloj si të shkelmosh mbi shpirtrat dhe gjakun e tyre. Por kur këta janë shqiptarë, kjo është forma më e lartë e tradhtisë kombëtare.
Ndaj dhe unë mund të kem shumë probleme të tjera për të shtruar përpara jush, por zgjodha vetëm këtë sepse edhe marrëveshjet- unë i ndoqa recitimet e përfaqësuesve të qeverisë shqiptare- ndërkohë kur shqiptarët presin dyshtetësi apo shtetësi sipas dëshirës. Kjo është marrëveshja që presin shqiptarët. Por këtë natyrisht krahas njohjes së gjenocidit ciklik, kjo do jetë marrëveshja e parë, përveç heqjes së taksës në Rrugën e Kombit, që do firmoset nga qeveria e ardhshme e Partisë Demokratike.”-tha Berisha.