Vendosni fjalën kyçe....

Berisha sulmon sërish Alibeajn: Fasadë e Ramës në komisionet e Reformës Territoriale e Zgjedhore


Kryetari i PD-së Sali Berisha sulmoi sërish sot kreun e grupit parlamentar, Enkelejd Alibeajn për të cilin tha se me pseudo opozitën po bëhen fasadë e kryeministrit Edi Rama në reformën territoriale dhe reformën zgjedhore.

“PD denoncon përpjekjet e Edi Ramës dhe bashkëpunimin e tij me pseudo opozitën për reformën territoriale dhe reformën zgjedhore. E konsiderojmë këtë akt të Alibashës si një nga aktet më të shëmtuara që ai bën në kurriz të vendit me Edi Ramën. PD do të paraqesë shumë shpejt qëndrimin e saj lidhur me këto reforma. Sa i përket komisionit për investimet strategjike nuk kam asgjë kundër, por zhvillimet janë shumë shqetësuese dhe do t’i ndjekim.

Ka të dhëna që synimet janë të kundërta me atë që presin qytetarët. Në rast se do të bëhet transparencë e vërtetë, do ta duartrokasim, por në rast se do të përdoren për të mbuluar afera më të mëdha siç është porti i Durrësit apo Butrinti, çka ne kemi disa të dhëna paraprake do reagojmë në kohë.”– deklaroi Berisha.

Mes të tjerash, kryetari i PD-së deklaroi sot se vjeshta do jetë periudha e fillimit të primareve për kandidaturat për Kryetarët e Bashkive.

Berisha paralajmëroi gjithashtu protesta ndaj qeverisë.

“Unë në një takim që zhvillova me kryetarët e degëve, kërkova një veprimtari shumëplanëshe, sepse PD nuk mund të qëndrojë në një lloj veprimtarie. Koha e thërret atë të ketë një aktivitet shumëplanësh.

Protestat janë dhe mbeten në rendin e ditës të kësaj partie. Kjo jashtë çdo lloj dyshimi. PD duhet të shfrytëzojë çdo lloj potenciali për objektivat e saj.”-tha Berisha.

Sipas tij, vendi është në krizë, nga e cila po përfiton Rama.

“Nuk janë çmime tregu këto, janë çmime të shushunjave të importuara nga koha e komunizmit, që asgjësojnë institucionet ligjore të ngarkuara për t’i dhënë përgjigje spekulimet. Kjo sepse Edi Rama me njerëzit e tij janë përfituesit kryesorë të rritjes së çmimeve.”-tha Berisha.