Vendosni fjalën kyçe....

Dokumenti i tretë që lidh Mirel Mërtirin me inceneratorët


Mirel Mërtiri është njeriu “hije”, i cili dyshohet se qëndron pas skemës së koncesionit të inceneratorëve në Shqipëri. Një koncesion ndër më të akuzuarit, për të cilin tashmë ka edhe një hetim nga organet e drejtësisë.

Bëhet fjalë për tre inceneratorë, në Fier, në Elbasan dhe në Tiranë, ku fituese e këtij koncesioni është kompania “Integrated Energy B.V.”, e cila tentoi të “shitej” si një sukses holandez.

I quajtur edhe si “truri” i skemës së inceneratorëve, Mirel Mërtiri, deri disa ditë më parë, nuk dilte drejtpërdrejt me emrin e tij në skemë, si përfaqësues i kompanisë së inceneratorëve.

Por, ditët e fundit CNA.al ka publikuar dokumente ekskluzive që tregojnë lidhjen e drejtpërdrejtë të Mirel Mërtirit, ku një herë shfaqet si delegat i kompanisë së inceneratorëve, e herë tjetër si përfaqësues.

Ndërkohë, CNA.al sjell sot një tjetër dokument ekskluziv, që tregon sërish lidhjen e Mirel Mërtirit me kompaninë, e cila duket se qëndron në majë të piramidës që ka marrë koncesionin e inceneratorëve në Shqipëri.

Bëhet fjalë për një deklaratë noteriale, e lëshuar nga kompania “Almares Menagment B.V.”, që autorizon Mirel Mërtirin të hapë llogari bankare apo të transferojë para, në emër të kësaj kompanie, në Zvicër.

Deklarata noteriale është firmosur nga dy përfaqësuesit e kompanisë, një shtetas gjerman, Marcc Lapat, si dhe një shtetas italian Giuseppe Ciaffaglione, emri i të cilit del edhe tek inceneratori i Tiranës.

 

 

Pra, përtej asaj që u pretendua se koncesioni i inceneratorit të Tiranës është marrë nga një kompani holandeze, CNA.al ka treguar nëpërmjet dokumenteve se kompania “Integrated Energy B.V.” ishte një kompani, ku pas saj fshihej Klodian Zoto dhe ajo ishte regjistruar në adresën Delflandlaan 1 Queens Tower në Amsterdam, si pjesë e një grupi kompanish ku humbeshin gjurmët.

Por, këto ishin dhjetëra kompani me të njëjtën adresë dhe ishin pjesë e kompanisë mëmë, Residence Corporate Services BV, ku brenda saj përfshihej edhe kompania Almares Menagment, e cila ishte bashkëdrejtore e kompanisë “Intgrated Energy BV”, e cila më pas u bë Geogenix B.V.

Dhe tashmë sjellim dokumentin ku kompania Almares Menagment autorizon Mirel Mërtirin të transferojë paratë në Zvicër.  

Nga ana tjetër, kujtojmë këtu se CNA.al ka publikuar edhe të tjera dokumente që faktojnë lidhjen e drejtpërdrejtë të Mirel Mërtirit, me kompanitë e inceneratorëve, të cilat duke përdorur Shqipërinë si “trampolinë”, po tentojnë të shpërndahen në shumë vende të Afrikës apo dhe Lindjen e Mesme.

Së pari, doli që Mirel Mërtiri ka qenë drejtor i kompanisë “Integrated Technology Services”. Kjo e fundit kompania që ka marrë koncesionin e inceneratorit të Tiranës.

Gjithashtu, emri i Mirel Mërtirit dilte si administrator edhe në kompaninë “ER One Albania”, ku bashkëjetuesja e tij Stela Gugallja është ortake me “Energy Recuperator”, e cila ka si ortakë dy shtetas italianë, Ernesto Granelli dhe Mario Granelli.

Më tej, është dokumenti i publikuar nga CNA.al, ku Mirel Mërtiri del si negociator i Geogenix B.V, në Zimbabve.

 

 

Ndërsa në vitin 2019 pak kohë para se në të fillonim publikimin e një dosjeje të plotë në lidhje me inceneratorët në Shqipëri, Mirel Mërtiri shfaqet drejtpërdrejt me firmën e tij, në Irak, si përfaqësues i kompanisë “Integrated Energy B.V.”.

 

Ndërkohë, së fundi emri i tij del edhe në një akt noterial, për të hapur llogari apo për të transferuar para në Zvicër.

Ai që deri dje dilte si një “oborrtar” i thjeshtë, tashmë faktohet lidhja e Mirel Mërtirit me inceneratorët, në më shumë se një rast.

Një kompani pa asnjë aktivitet, vjen në Shqipëri, merr një koncesion ku vetëm kontrata fillestare është 128 milionë euro, propagandohet në media si një “sukses holandez”. Dhe më pas shpërndahet nëpër botë, duke thënë se kemi eksperiencë në Shqipëri.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e CNA.al