Kryeministri i Kosovës i tha atij të Shqipërisë Rama se problemet politike duhen zgjidhur të parat e jo në fund dhe as të lihen pezull.
Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Prishtinë, Kurti tha se bashkëpunimi, integrimi e zhvillimi i qëndrueshëm zgjidhen nëse ndasitë politike mes palëve zgjidhen në fillim duke nënkuptuar nismën Ballkani i Hapur, të cilën Kosova e kundërshton.
“Bashkëpunimi dhe integrimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm në gjithë rajonin sigurohet duke i zgjidhur problemet politike në fillim dhe jo në fund. Lënia për fund dhe mbajtja pezull e zgjidhjes së problemeve esenciale politike mban pezull mosbesimin e ndërsjellë social. Bashkëpunimin dhe integrimin brenda kombit dhe ndërmjet dy shteteve tona e ka lehtësuar fakti se veç sa po e zbatojmë në rastin tonë parimin dhe praktikat tashmë të njohura të Bashkimit Europian, përderisa edhe anëtarësimi ynë në BE mbetet synimi ynë i përhershëm dhe drejtues i politikave tona.” – tha Kurti.