Vendosni fjalën kyçe....

Meta kthen për rishqyrtim në Kuvend Marrëveshjen për Administrimin e Parkut të Butrintit


Presidenti Ilir Meta ka kthyer sot për rishqyrtim në Kuvend Marrëveshjen për Administrimin e Parkut të Butrintit.Në dekretin e firmosur nga kreu i shtetit, Meta jep si arsye për këtë vendim se kjo marrëveshje sipas tij bie ndesh me Kushtetutën.

“Cenon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës;

Cenon parimet dhe vlerat universale që mbrohen që në preambulën e Kushtetutës, duke cenuar kësisoj drejtpërdrejtë interesin publik shqiptar;

Cenon Konventën e Parisit dhe nuk është në harmoni me parimet e mbrojtura nga UNESCO;

Bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;

Praktika e ndjekur nga ekzekutivi dhe Kuvendi i Shqipërisë, rezulton se nuk ka realizuar dhe nuk ka siguruar mendimin e ekspertizës së pavarur vendase që ka njohuri të thelluara mbi Parkun Kombëtar të Butrintit, nënzonave dhe siteve arkeologjike të tij;

Procedura e ndjekur nuk ka garantuar një proces të gjerë e të thelluar të konsultimit me publikun, duke sjellë kështu një produkt jo cilësor dhe një debat publik mbi këtë çështje;

Shmang auditimin përmes institucioneve të pavarura kushtetuese të veprimtarisë ekonomike-financiare lidhur me të ardhurat që do të krijohen dhe mënyrën e përdorimit të tyre;

Për shkak të mungesës së konsultimit gjithëpërfshirës, ky ligj është produkt i një procesi që ka shkelur Rezolutën e datës 19 maj 2022, të miratuar nga Parlamentit Evropian.”– arsyeton presidenti Meta.

D E K R E T I

PËR KTHIMIN E LIGJIT NR. 50/2022
“PËR MIRATIMIN E MARRËVESHJES PËR ADMINISTRIMIN E NËNZONAVE TË TRASHËGIMISË KULTURORE DHE PEIZAZHIT KULTUROR, PJESË E PARKUT KOMBËTAR TË BUTRINTIT, NDËRMJET MINISTRISË SË KULTURËS DHE FONDACIONIT PËR MENAXHIMIN E BUTRINTIT”

Në mbështetje të nenit 85, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës,

D e k r e t o j:

Kthimin në Kuvend të ligjit nr. 50/2022 “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”, për rishqyrtim sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.

Nr. Dekretit 13703
Tiranë, më 20.06.2022

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

ILIR META