Deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi deklaroi se në shtator kjo forcë politike do të organizojë protesta kundër qeverisë Rama.
Boçi theksoi se PD do zhvillojë tryeza me ekspertë dhe qytetarë për Reformën Territoriale.
“Do vazhdojmë të shprehim qëndrimet tona. Do të zhvillojmë tryeza me ekspertë. Do të bëjmë edhe takime me qytetarët për reformën territoriale”, u shpreh nënkryetari i PD.
Deputeti demokrat ka njoftuar se pas kërkesave të shumta nga qytetarët, për zemërimin në rritje me qeverinë, Partia Demokratike që drejtohet tashmë nga Sali Berisha do të nisë protestat në muajin shtator.
“Protesta janë të kërkuara. Ngjarjet janë të tilla që i bëjnë të domosdoshme. Ka zemërim të qytetarëve. Duke parë që është një kërkesë e vazhdueshme, kemi nisur angazhimet tona që në shtator të mos kemi vetëm një betejë vetëm në Parlament, por edhe një betejë tjetër aksioni politik protestues, duke përfshirë të gjithë qytetarët.”-tha Luçiano Boçi.