Vendosni fjalën kyçe....

“Burri i Xhaçkës me statusin e investitorit strategjik” – Bardhi çon Ramën në SPAK në emër të PD-së



Deputeti Gazment Bardhi ka depozituar sot në SPAK një kallëzim penal kundër Kryeministrit Edi Rama për shpërdorim detyre, në emër të Grupit Parlamentar të PD-së.

Padia ka të bëjë me dhënien e statusit investitor strategjik dhe pasurive publike në përdorim për bashkëshortin e Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka.

Sipas padisë, bashkëshorti i ministres ka përfituar statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një hoteli disa katësh me 5 yje në një sipërfaqe zhvillimi prej 10,592 m² dhe me vlerë rreth 5.5 milion euro, në Himarë.

 “Kryeministri Edi Rama, në cilësinë e tij si epror i Ministres Olta Xhacka, por edhe si Kryetar i Komitetit të Investimeve Strategjike, ka përgjegjësinë ligjore për të zbatuar ndalimet e parashikuara nga ligji nr. 9367, datë 7.4.2005 ‘për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike’, i ndryshuar, ku qartësisht specifikohet se deputeti/ministri nuk mund të përfitojë përdorimin e pronave publike dhe se ky rregull vepron njëlloj edhe për bashkëshortin/en e tij.”– thuhet në kallëzimin e firmosur nga Bardhi.

Në kallëzim thuhët se aksionet apo pjesët në kapital janë të regjistruara në emrin e bashkëshortit, ato vlerësohen njëlloj si të ishin të regjistruara në emër të vetë deputetit/ministrit dhe bashkëshorit të tij/saj i kufizohen të drejtat pasurore për to, në të njëjtën masë dhe mënyrë si në rastin e vetë deputetit/ministrit.

Duke mos aplikuar këtë ndalim, Kryeministri Edi Rama dhe anëtarët e Komitetit të Investimeve Strategjike, të cilët kanë qenë në dijeni se kompania përfituese është në pronësi të bashkëshortit të ministres/deputetes Olta Xhacka, me dashje kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke i sjellë përfitime materiale të padrejta familjes së ministres Xhaçka.” – thuhet në kallëzim.