Një rritje e dhunës etnike në Etiopi javën e kaluar, rezultoi në vrasjen e të paktën 200 civilëve në rajonin e Oromisë të vendit. Qeveria qendrore në Addis Abeba nuk i konfirmoi menjëherë raportet, por pranoi sulmet ndaj njerëzve të pafajshëm.
“Kam numëruar 230 trupa. Kam frikë se ky është sulmi më vdekjeprurës kundër civilëve që kemi parë gjatë jetës sonë.” – tha Abdul-Seid Tahir, një banor i qarkut Gimbi, për Associated Press të dielën.
Sulmet thuhet se kishin në shënjestër komunitetin etnik Amhara, një nga më të mëdhenjtë në vendin afrikan. Dëshmitarët pohuan se Ushtria Çlirimtare e Oromos (OLA), një grup i armatosur që kërkon vetëvendosje për popullin Oromo, ishte përgjegjës për vrasjet. Ata i thanë agjencisë së lajmeve se militantët po hakmerreshin kundër Amharasë për një seri disfatash të pësuar kundër forcave qeveritare.
Grupi i mohoi akuzat, duke thënë se ‘regjimi dhe milicia vendase’ qëndronin pas mizorive.
“Luftëtarët tanë nuk kishin arritur në atë zonë kur ndodhën sulmet.” – thanë ata.
Kryeministri i Etiopisë Abiy Ahmed Ali shprehu zemërimin për ‘sulmet ndaj civilëve të pafajshëm dhe shkatërrimin e mjeteve të jetesës nga forcat e paligjshme’.
Komisioni Etiopian i të Drejtave të Njeriut i emëruar nga qeveria konfirmoi se një video që qarkullonte në mediat sociale që nga e premtja tregonte vrasje personash nga forcat qeveritare. Organizata tha se të paktën 30 persona, të cilët dyshohet se ishin pjesë e OLA, u vranë në incidentin që ndodhi në dhjetor 2021.
Qeveria federale e Etiopisë e konsideron OLA si një organizatë terroriste. Populli Amhara mbërriti masivisht në rajonin e Oromisë tre dekada më parë si pjesë e një programi risistemimi të sponsorizuar nga qeveria. Përballë sulmeve, ata tani po i kërkojnë qeverisë t’i ndihmojë ata të largohen nga zona.