Vendosni fjalën kyçe....

Prokuroria nis hetimet për zhdukjen e dokumenteve në regjistrat e Kadastrës


Prokuroria e kryeqytetit ka nisur hetimet për çështjen e humbjes apo dëmtimeve të tjera të regjistrave të kadastrës së Tiranës.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, duke marrë shkas nga deklaratat e bëra në mediat e shkruara dhe audiovizive nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, Z. Artan Lame, lidhur me humbjen apo dëmtime të tjera të faqeve të regjistrave të kadastrës, për zonat në zhvillim të Tiranës si Farka, Ndroqi, Shën Gjergji etj, ka filluar kryesisht, hetimet duke regjistruar procedimin penal nr. 4807 datë 21.06.2022, për veprat penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ dhe ‘Zhdukjes dhe vjedhjes se dokumentave’, parashikuar nga neni 248 dhe 192/a i Kodit Penal, pa autorë të dyshuar.”- thuhet në njoftimin e organit të akuzës.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë thotë se është e angazhuar ‘maksimalisht që të hetojë në drejtim të zbulimit dhe vënies përpara përgjegjësisë penale’ të çdo zyrtari apo personi të përfshirë në veprimtari të kundraligjshme në dëm të interesave të ligjshme te qytetarëve apo shtetit.

Ky hetim vjen pas një denoncimi nga kreu i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame për dëmtimin e regjistrave.

“Regjistrat e dëmtuar më shumë kanë të bëjnë me pasuritë në zonat në zhvillim si Farka, Kashari, Yzberisht, Mëzez, Baldushk, Ndroq, Pezë Helmes, dhe Peza.

Në zonën e Kamëz-Vorë, do veçoja qytetin Kamëz dhe qytetin Vorë, Paskuqan, Valias, Bathore, Laknas, Babrru dhe Domja.”- shprehej Lame.

Sipas tij, nga regjistrat e Tiranës mungojnë 515 faqe si dhe janë 13 mijë faqe bosh brenda në regjistër.