Kryeministri Edi Rama ka pritur sot në një takim homologen e tij finlandeze, Sanna Marin.
Në një konferencë të përbashkët për mediet, Rama tha se ka folur me zonjën Marin për çështjen e Ukrainës por dhe për integrimin e Shqipërisë në BE.
Gjatë fjalës së tij, Rama zbuloi se nuk ka pritshmëri për çeljen e negociatave për vendin tonë, por tha se Finlanda është një ndër vendet që është duke bërë gjithçka që Bullgaria të heqë veton për Maqedoninë e Veriut dhe të hapë rrjedhimisht rrugën dhe për Shqipërinë.
Mes të tjerash, ai shtoi se Shqipëria mbështet anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.
“Së bashku jemi në një front kundër agresionit rus në Ukrainë dhe Finlanda ka shumë për të na mësuar ne dhe të gjithëve për shkak se e njeh shumë mirë agresorin dhe natyrën e tij. Duke qenë një vend që në të shkuarën ka pasur mundësi të nxjerrë mësime nga fqinjësia me Rusinë, ka një zë të respektueshëm për të kuptuar rëndësinë e rezistencës dhe lidhjes që disa nuk dua ta bëjnë mes asaj që ndodh në Ukrainë dhe asaj që mund të vijë deri këtu.
Ballkani është një hallkë e dobët delikate dhe për këtë arsye eksperienca dhe fjala e Finlandës ka shumë rëndësi.
Folëm me kryeministren për atë që nuk vjen në ditët e ardhshme, lidhur me çeljen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim për ne dhe Maqedoninë e Veriut, i dhashë që nuk pres asgjë të re nga takimi, por vendet po përpiqen me Bullgarinë për të hapur shteg të arsyes dhe për të çliruar procesin.
Ne mbështesim me gjithë besimin dhe bindjen tonë anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, janë vlerë e shtuar dhe në kushtet e sotme dyert e aleancës duhet të jenë të hapura për këto dy shtete. Ndjehemi të privilegjuar që na jepet mundësia të bëjmë diçka për Finlandën, kjo nuk është pak.
Dua ti uroj kryeministres çdo të mirë. Kur erdhi më tha koha është e bukur, shpresoj që vizita edhe pse e shkurtër të bëjë kryeministres të vijë edhe me vajzën e vogël dhe bashkëvuajtësin.”- është shprehur Rama.