Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj pret në takim dy kampionët e Europës në peshëngritje: Ne duhet të shpërblejmë talentin


Erion Veliaj ka pritur sot në një takim dy kampionët e Europës në peshëngritje, Erkand Qerimajn dhe Evangjeli Velin.

Dy sportistët triumfuan në në Kampionatin fundit Europian, që u mbajt pak ditë më parë në Tiranë.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se talentet duhen shpërblyer.

“Është kënaqësi e veçantë të pres dy miq të jashtëzakonshëm, Erkandin dhe Evangjelinë, të cilët na bënë krenar edhe në këtë Kampionat Europian të Peshëngritjes.

Ata janë jo vetëm sportistë të Klubit të Tiranës, por mbi të gjitha, shkojnë përtej ngjyrave bardhë e blu, sepse përfaqësojnë ngjyrat kuq e zi të Shqipërisë. Ne duhet të shpërblejmë talentin, që më pas, edhe të tjerët të aspirojnë të bëhen më të mirët dhe të punojnë fort.”- tha Veliaj, i cili kujtoi se Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar vendimin për shpërblimin e sportistëve elitarë, “si një motiv më shumë për të sjellë medalje të tjera për Shqipërinë.”

Presidenti i Federatës së Peshëngritjes, Elez Gjoza vlerësoi mbështetjen e Bashkisë së Tiranës për sportistët.

Ndërsa kampionia Evangjeli Veli kërkoi një pjesëmarrje më të madhe të të rinjve në sport.

“Mbështetja juaj ka treguar punën time, por edhe mbështetja e Federatës. Unë do të sjell sa më shumë medalje në Shqipëri. Hera e parë që Shqipëria po merr edhe kupën si sportistja më e mirë, jo vetëm si sportiste e Tiranës, po si sportiste e Europës. Shpresoj të jem një model i mirë për vajzat dhe fëmijët e Shqipërisë që të futen në sport.”– tha ajo.