Vendosni fjalën kyçe....

Braçe del në protestë krah fermerëve të Lushnjës: Shteti duhet të thotë “stop” këtu, po falimentojnë


Deputeti i PS-së Erion Braçe i është bashkuar fermerëve të Lushnjës, të cilët kanë dalë sot në një protestë kundër qeverisë për shkak të çmimit të ulët të shitjes me shumicë të shalqirit.

Fermerët e fshatit Çermë e Poshtme në Lushnjë kanë treguar se kanë kultivuar rreth 100 hektarë me shalqi. Por tashmë që është koha e vjeljes prodhimi ka mbetur në fusha.

Ata kërkojnë që ushtrohen kontrolle ndaj pikave të grumbullimit që kanë fiksuar çmimin 12 lek për kg, pasi sipas tyre falimentojnë nëse nuk arrijnë ta shesin shalqirin së paku me 18 lek për kg.

Braçe tha Ministria e Financave dhe ajo e Bujqësisë nuk kryejnë kontrolle në Divjakë e Lushnjë ku grumbulluesit punojnë pa fatura. Sipas tij, zgjidhja është krijimi i kooperativave, ose ndryshe magazinave publike me menaxhim shtetëror.

“Për shalqinin po e po, por edhe për grurin edhe për misrin që vjen më pas. Kur këta ngrinin zërin, se kontrolloni çmimin e plehrave kimike pasi zë gati 60% të kostos së grurit, askush nuk e vrau mendjen.

U kontrollua çmimi i orizit, vajit të lulediellit, edhe çmimi i miellit, por nuk u kontrollua çmimi i plehrave kimike që tani e ka efektin. Janë të njëjtët njerëz që edhe i kanë shitur plehrat shtrenjtë edhe duan ta marrin produktin shumë lirë. Sa kemi qenë në këtu kanë kaluar 30-40 trajlera, pra kërkesë ka, por si shpjegohet që bie çmimi.

Problemi është se zhytet një ekonomi e tërë. Nesë falimenton një kjo ekonomi bujqësore, ka falimentuar ekonomia bujqësore e gjithë vendit. Shteti duhet të thotë stop këtu me pikat e grumbullimit me kapacitete magazinuese private. Shteti duhet të ndërtojë magazina dhe frigoriferë publik. Kështu fermeri çon mallin atje kur ka çmim të lartë.”– tha Braçe.

Fermerët thonë se me çmimin deri në 12 lek për kilogram nuk mbulojnë as kostot këtë vit të plehrave: “Edhe me 100 lek nuk e shesim sot, ku të shkoj, ku të mbytem unë? Ndaj këtë te enjte dolën në proteste për t’i kujtuar qeverisë që po rrezikojnë falimentimin.”