Ndonëse Shqipëria është shteti më i varfër në Europë, me prodhimin e brendshëm për frymë që është sa 32% e mesatares së Europës, sipas Eurostat (të dhënat nuk përfshijnë Kosovën), qytetarët e vendit duhet të paguajnë shtrenjtë për blerjen e ushqimeve e pijeve dhe produkteve tw tjera, si komunikimi dhe blerja e pajisjeve elektronike e përdorim shtëpiak.
Eurostat ka publikuar indeksin e çmimeve për mallrat dhe shërbimet për vendet e Europës.
Në Shqipëri, çmimet në tërësi janë sa 61% e mesatares europiane. Kjo është përqindja më e lartë nga vendet e rajonit pas Malit të Zi (69%), por ky i fundit kishte të ardhura sa 47% e mesatares Europiane, nga 32% që e ka këtë tregues Shqipëria.
Më lirë çmimet janë në Turqi (40% e mesatares europiane), Maqedoni e Veriut (51.5), Bosnjë Hercegovinë (55.8), Serbi (59.9).
Kur vjen puna te ushqimet, për të cilat familjet shqiptare kanë peshën më të lartë të shpenzimeve në buxhetin e tyre (rreth 42%, nga 13% që është mesatarja e Bashkimit Europian), çmimet janë pothuajse njësoj si në Europë dhe më të shtrenjtat në rajon.
Indeksi i Eurostat për ushqime, është sa 83% e mësatares europiane, më të shtrenjta edhe se në Mal të Zi (78.3), Ushqimet, në rajon, janë më të lirat në Maqedoninë e Veriut, me 61.4% të mesatares europiane.
Çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë më të shtrenjta se në Hungari, Poloni, Rumani, Bullgari.
Të shtrenjta në Shqipëri janë veshjet dhe këpucët, me rreth 96% të mesatares së BE-së.
Më lirë janë restorantet (46% e mesatares së BE-së).
Më i shtrenjtë është komunikimi (108% e mesatares së BE-së).
Më shtrenjtë nga të gjitha kushton blerja e pajisjeve shtëpiake (120%) dhe atyre elektronike (110%)
Pajisjet personale të transportit janë më të shtrenjtat në rajon (86% e mesatares së BE-së).
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor