Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Rama nuk kërkoi asnjëherë autorizim për çështjen e detit


Presidenti në detyrë, Ilir Meta deklaroi në Fax News se çështja e marrëveshjes së Detit është e ezauruar nga institucioni i presidencës.

Meta u shpreh se ka qenë i hapur dhe bashkëpunues për një zgjidhje në respekt të Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Meta theksoi se i ka thënë zotit Rama i cili në atë kohë ka qenë ministër i jashtëm të kërkojë autorizim në rast se vendos të pranojë kërkesën e palës greke për një qasje politike.

“Është një çështje e ezauruar shumë qartë nga Institucioni i Presidencës. Presidenti ka qenë shumë i hapur dhe bashkëpunues për një zgjidhje në respekt të Kushtetutës tonë dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për këtë qëllim kemi dhënë edhe autorizimin për negociatat.

Me pas janë zhvilluar disa raunde negociatash dhe është kërkuar nga pala greke që të ketë një qasje politike, e cila nuk mund të bëhej nga negociatorët, sepse ata janë të mandatuar pikërisht për të zbatuar ligjin vendas dhe atë ndërkombëtar, si dhe për të negociuar në raport me ligjin.

Në këtë situatë unë i kam thënë zotit Rama, i cili ka qenë dhe ministër i Jashtëm, që nëse dëshiron ta zgjidhësh në këtë mënyrë, hajde kërko autorizimin dhe ta marrësh përsipër, sepse negociatorët nuk mund të bëjnë veprime të paligjshme.

Së dyti, ata nuk kanë ndonjë vullnet politik, përveç detyrës për të zbatuar ligjin dhe për t’iu referuar të Drejtës Ndërkombëtare dhe  të drejtës tonë. Sepse në fund,  ti je udhëheqësi i maxhorancës, ajo që do të negociohet do të shkoj në Parlament që të votohet. Por nesër mund të shkoj përsëri edhe në Gjykatë Kushtetuese, nëse dikush ankohet”, tha Meta

Megjithatë Meta deklaroi se Rama nuk kërkoi asnjëherë autorizim edhe pse theksoi se ka kryer veprime që dalin në pah nga intervistat që ngrenë dyshime serioze mbi integritetin dhe qëllimet në raport me interesat e Shqipërisë.

“Dhe padyshim duhet ta marr përsipër Qeveria që ta mbroj këtë gjë. Ai asnjëherë nuk kërkoi një autorizim, kur është e qartë që ka bërë veprime, ato që marrim vesh më shumë nga pala greke nga intervistat që jepen, të paautorizuara,  të cilat ngrenë dyshime serioze mbi integritetin dhe qëllimet e kësaj sjellje në raport me interesat e Shqipërisë.

Unë kam qenë dhe jam për një zgjidhje të ndershme, për një zgjidhje të drejtë, larg lojërave të dyfishta. Por kjo nuk mund të ndodhë kurrë jashtë transparencës dhe duke shkelur Kushtetutën e Shqipërisë”, tha Meta.