Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar pjesëmarrjen e Shqipërisë në Samitin e BE për Ballkanin Perëndimor, që do të mbahet nesër.
Përkundër deklaratave të një dite më parë që u kuptuan si një bojkot i mundshëm, Rama thotë se do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të BE-së.
Por ai shton se Bullgaria përsëri do të kritikohet dhe se ai do të kërkojë të dëgjohet për idenë e një Komuniteti të Ri Politik Evropian.
“Sapo dëgjova që diçka po lëviz sot në Bullgari. Shumë herët për të qenë optimist dhe shumë pak për të ndryshuar pjesën e fjalimit të nesërm ku Bullgaria kritikohet si një vend që ka rrëmbyer dy vende të NATO-s, ndërkohë që ka një luftë të nxehtë në kufirin e Evropës!
Ne do të marrim pjesë në mbledhjen e Këshillit të BE-së. Nuk do të ketë shumë për të dëgjuar për ne, por ne do të kërkojmë të dëgjohemi për idenë e një Komuniteti të Ri Politik Evropian që ne mbështesim, për Ballkanin e Hapur që çon përpara frymën e Evropës dhe për rrëmbimin tonë nga Bullgaria që shkatërron atë.”– shkruan Rama.
Ky reagimin i Ramës vjen pasi Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi shkroi në Twitter se Bullgaria ka vendosur të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut.
“Falenderojmë liderin e opozitës Gerb @BoykoBorissov për marrjen e një vendimi historik për Evropën dhe për Maqedonisë së Veriut, pranimin e negociatave bazuar në propozimin francez që lejon vazhdimin me hapjen e negociatave të anëtarësimit me / Maqedoninë e Veriut. Ne presim që qeveria t’i bëjë propozimet e nevojshme Parlamentit sot në mënyrë që Evropa të mund të ecë përpara.” – shkruante Varhelyi.