Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti meksikan: Do t’i kërkoj Bidenit lirimin e Assange


Presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador thotë se bashkëthemeluesi i “WikiLeaks”, Julian Assange është trajtuar “shumë padrejtësisht” për turpin e gjithë botës dhe Meksika është e gatshme ta pranojë atë.

Ai tha para gazetarëve se rastin e Assange do ta ngrinte në takimin me homologun e tij amerikan Joe Biden që pritet të mbahet në korrik.

Britania e Madhe njoftoi javën e kaluar se do ta ekstradonte botuesin e burgosur në SHBA, ku ai përballet me akuza për spiunazh dhe deri në 175 vjet pas hekurave nëse shpallet fajtor. Vendimi i Sekretarit të Brendshëm të Mbretërisë së Bashkuar Priti Patel ishte “shumë zhgënjyes“, tha Lopez Obrador.

Ai tha gjithashtu se synon t’i kërkojë Bidenit të heqë akuzat kundër Assange kur ata të takohen muajin e ardhshëm. Një veprim i tillë do të shkonte në kundërshtim me “të vijës së ashpër në SHBA“, por ai shtoi “njerëzimi duhet të mbizotërojë”.

“Julian Assange është gazetari më i mirë i kohës sonë në botë dhe ai është trajtuar shumë padrejtësisht, më keq se një kriminel.”- tha Lopez Obrador sipas RT. “Ky është një turp për botën.”

Meksika është e gatshme t’i sigurojë Assange strehim nëse dhe kur ai të lirohet, shtoi presidenti, duke u kujtuar gazetarëve se ai i kishte bërë thirrje administratës së mëparshme amerikane të heqë akuzat kundër Assange si “një i burgosur i ndërgjegjes”.

Kujtojmë se Assange, i cili është një shtetas australian, kërkoi azil në Ekuador në vitin 2012, pas frikës se Uashingtoni donte që ai të arrestohej dhe ekstradohej lidhur me publikimin e dosjeve të klasifikuara nga ËikiLeaks në vitin 2010 mbi luftërat e SHBA-ve në Irak dhe Afganistan. Ai i kaloi shtatë vitet e ardhshme brenda ambasadës së Ekuadorit në Londër, pasi Britania e Madhe i refuzoi kalimin e sigurt, derisa azili i tij u anulua nga qeveria e re miqësore me SHBA-në në Quito.

Policia britanike e nxori Assange nga ambasada në prill 2019 dhe e futi në burgun e sigurisë maksimale Belmarsh në Londrën jugore, ku ai ende qëndron. Brenda një muaji nga arrestimi i tij, SHBA-ja ngriti një aktakuzë që e akuzonte atë për vepra sipas ligjit të spiunazhit, për të cilat ai mund të përballet me 175 vjet burg. Assange ka mohuar të gjitha akuzat por një dëshmitar kyç në çështjen e Uashingtonit kundër tij pranoi se ai gënjeu në dëshminë e tij.

Australia nuk është shprehur ende për lirimin e Assange, edhe pse kryeministri i sapo zgjedhur Anthony Albanese gjatë fushatës zgjedhore i kishte kundërshtuar akuzat kundër gazetarit. Albanese tha të hënën se ai ende besonte se Assange duhet të lirohet, por se qeveria e tij nuk do të ndërhynte publikisht me SHBA-në në emër të tij, sepse ajo “angazhohet në mënyrë diplomatike dhe të përshtatshme me partnerët tanë”.