Vendosni fjalën kyçe....

Rusia kërcënon Lituaninë me pasoja ‘serioze’ për bllokimin e transportit të mallrave në Kaliningrad


Hakmarrja e Moskës ndaj ‘bllokimit’ të transportit nga Lituania në rajonin rus të Kaliningradit do prekë seriozisht qytetarët lituanezë, ka thënë Nikolay Patrushev, kreu i Këshillit të Sigurimit të Rusisë.

“Sigurisht, Rusia do u përgjigjet veprimeve armiqësore. Masat e duhura janë në punë dhe do të miratohen në të ardhmen e afërt.” – u tha Patrushev gazetarëve gjatë një udhëtimi në Kaliningrad të martën.

Ai shtoi se pasojat e përgjigjes së Moskës ‘do kenë një ndikim serioz negativ mbi popullin e Lituanisë’.

Rajoni i Kaliningradit është një enklavë e vogël ruse e vendosur midis Polonisë dhe Lituanisë. Të shtunën, operatori hekurudhor kombëtar i Lituanisë ndaloi qarkullimin e mallrave të sanksionuara midis rajonit dhe pjesës tjetër të Rusisë, duke cituar udhëzimet nga Komisioni Evropian.

Moska e cilësoi masën si të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe thirri ambasadorin lituanez. Të martën, Ministria e Jashtme thirri të dërguarin e BE-së në Rusi, Markus Ederer.

“Ne kërkuam që funksionimi normal i tranzitit të Kaliningradit të rivendoset menjëherë.” – tha ministria në një deklaratë.

Shumë vende, duke përfshirë anëtarët e BE-së, vendosën sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Moskës në përgjigje të fushatës ushtarake të Rusisë në Ukrainë, e cila filloi në fund të shkurtit.

Josep Borrell, kryediplomati i BE-së, mbrojti Vilniusin të hënën, duke thënë se po vepronte në përputhje me mekanizmin e sanksioneve të bllokut.

“Lituania nuk është fajtore, nuk po zbaton sanksionet kombëtare.” – u tha ai gazetarëve.