Vendosni fjalën kyçe....

3-mujori, 44% e të punësuarve morën më pak se 40 mijë lekë në muaj


Politika e rritjes së pagës minimale dhe presioni i mungesës së fuqisë punëtore në tregun e punës po i shtyn drejt rritjes pagat, por ritmet janë të pamjaftueshme për të përballuar efektet e inflacionit.

Të dhënat e fundit nga INSTAT treguan se 44% e të punësuarve që paguajnë sigurime marrin një pagë bruto deri 40 mijë lekë në muaj. Paga neto për gati gjysmën e të punësuarve më pagë nuk arrin më shumë se 33 mijë lekë në muaj.

Pesha e punonjësve që kanë pagë deri në 30 mijë lekë ra përgjatë vitit. Në 3-mujorin të parë 2022 ishte 21% të totalit të të punësuarve, ndërsa kjo kategori deri në tremujorin e parë 2021 zinte 34% të punësuarve. Në të njëjtën periudhe kategoria e të punësuarve me paga 30-40 mijë lekë arriti në 23 % të totalit te të punësuarve nga 15.6 % që zinte kjo kategori në tremujorin e parë më 2021.

Struktura e të punësuarve sipas nivelit të pagave tregon rritje të peshës se pagave ne nivelin e mesëm në totalin e pagave të deklaruara. P.sh. të punësuarit me pagë 40-50 mijë lekë zunë 13.6% të totalit te të punësuarve nga 10.9% që zinin janar-mars 2021.

Nga ana tjetër vihet re se ka një reduktim të peshës së të punësuarve me pagë mbi 120,000 lekë. Kjo kategori zinte 5,5% të totalit të të punësuarve me pagë nga 4.9% që zinte në tremujorin e parë të vitit.

Analiza më të thelluara nga institucionet financiare ndërkombëtare tregojnë se Shqipëria vuan nga një produktivitet i ulët i punës.

Banka Botërore në një analizë për potencialet e sektorit privat në Shqipëri tregoi së fundmi se gjatë periudhës 2014-2019, Shqipëria kishte rritjen më të ulët të produktivitetit të punës nga vendet e tjera të Rajonit, ku shquheshin Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Nga prilli i këtij viti qeveria rriti sërish pagën minimale të detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik apo fizik, duke e çuar në 32,000 lekë nga 30,000 mijë lekë që ishte më parë.

INSTAT raportoi me herët se paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të parë 2022, është 59.242 lekë, duke u rritur me 5,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjatë tremujorit të parë 2022, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin “Aktiviteteve financiare dhe të sigurimit” është 93% më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grup aktivitetin “Bujqësi, pyje dhe peshkim” është 35,1% më e ulët.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të parë 2022 paga mesatare bruto për grup aktivitetin “Informacionit dhe komunikacionit” ka rritjen më të madhe prej 25,8%, ndërsa rritjen më të vogël e ka aktiviteti “Arte, argëtim dhe çlodhje; Aktivitete të tjera shërbimi” prej 2,7%. / B. Hoxha.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor