Gazetari rus Dmitry Muratov nxori në ankand medaljen e tij të artë të Çmimit Nobel për Paqe për një rekord prej 103.5 milionë dollarësh.
Kryeredaktori i Novaya Gazeta ka thënë se do i dhurojë të gjitha paratë UNICEF-it për të ndihmuar fëmijët dhe familjet ukrainase që janë zhvendosur nga konflikti i vazhdueshëm ushtarak në vend.
Muratov, i cili është kryeredaktor dhe bashkëthemelues i gazetës së pavarur ruse Novaya Gazeta (The Neë Gazette), mori Çmimin Nobel për Paqen në tetor 2021 së bashku me gazetaren filipinase Maria Ressa për ‘përpjekjet e tyre për të mbrojtur lirinë e shprehjes’.
Gazetari fillimisht njoftoi se do e shiste sërish çmimin e tij më 22 mars dhe më në fund e nxori atë në ankand përmes Heritage Auctions në New York City më 20 qershor, që përkon me Ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve.
Oferta e parë ishte 700,000 dollarë dhe shpejt u rrit në 16.6 milion dollarë. Dikur më vonë, një ofertues anonim vendosi 103.5 milionë dollarë për medaljen e artë 23 karatësh dhe asnjë pjesëmarrës tjetër nuk arriti të përputhej me atë ofertë.
Çmimi më i lartë që dikush ka shitur ndonjëherë ndonjë çmim Nobel është 4.76 milionë dollarë në vitin 2014, kur James Watson, i cili fitoi një çmim Nobel për zbulimin e strukturës së ADN-së në vitin 1962 e shiti atë.
Muratov ka deklaruar më parë në Telegram se ankandi ishte ‘një akt solidariteti’ me ‘mbi 10 milionë refugjatët ukrainas’ të zhvendosur nga sulmi rus, të cilin ai e quajti ‘një tragjedi’.
Duke folur se pse ai zgjodhi UNICEF-in si marrës të parave, Muratov pohoi se ishte e rëndësishme për stafin e Novaya Gazetës që organizata që ata zgjodhën të mos i përkiste asnjë qeverie, duke e lejuar atë të punonte pa kufij.
Ai shtoi se ishte veçanërisht i shqetësuar për fëmijët jetimë nga konflikti në Ukrainë dhe dëshironte ‘t’u kthente të ardhmen’.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov komentoi vendimin e Muratov për të kontribuar paratë te UNICEF, e cila ndihmon refugjatët ukrainas në mbarë botën, duke përfshirë Rusinë, duke thënë se ‘çdo kontribut në këtë kauzë, veçanërisht në lidhje me fëmijët, mund të mirëpritet’.
Muratov, i cili ka kundërshtuar hapur ofensivën ushtarake të Moskës kundër Kievit, deklaroi se gazeta nuk do të rifillonte operacionet deri në ‘përfundimin e operacionit special në territorin e Ukrainës’.