Yair Lapid, ministri i Jashtëm i Izraelit, ka falënderuar Turqinë këtë të enjte pasi, sipas tyre, ka arritur të shmangë një sulm të Iranit ndaj shtetasve izraelitë në Stamboll.
Më herët, Turqia u shpreh se kishte arritur të shmangte një sulm nga Irani ndaj qytetarëve izraelitë në këtë shtet.
Pak ditë më parë, Izraeli i bëri thirrje qytetarëve të tij që të largoheshin menjëherë nga Turqia, për shkak të rrezikut të sulmeve nga Irani, i cili ishte zotuar për hakmarrje për vrasjen e kolonelit të Gardës Revolucionare në Teheran më 22 maj, për të cilin fajësoi agjentët izraelitë.
Ndërkohë, Mevlut Cavusoglu, ministri i Jashtëm i Turqisë, tha se dy vendet po punojnë për të rivendosur përfaqësitë diplomatike në nivel ambasadori duke i dhënë fund më shumë se një dekade marrëdhëniesh të tensionuara.
Të dy vendet mbyllën ambasadat respektive në vitin 2018 dhe shpesh janë përplasur për konfliktin izraelito-palestinez. Një nga fushat që po rikthen bashkëpunimin është energjia, në të cilën dy vendet po bashkëpunojnë.
Lapid zhvilloi një vizitë në Turqi, ku u takua me Cavusoglu. Ndërkohë, ministri turk ishte në Izrael muajin e kaluar për zgjerim të bashkëpunimit ekonomik në vizitën e tij të parë të një zyrtari të lart turk në 15 vitet e fundit.