Vendosni fjalën kyçe....

Blerja e tokës nga grupi i lidhur me Bill Gates çon në hetimin e çështjes në SHBA


Prokurori i përgjithshëm i Dakotës së Veriut i ka dërguar një letër Red River Trust, një grup i lidhur me miliarderin Bill Gates, lidhur me blerjen e fundit të një ferme të madhe patatesh.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm Drew Wrigley paralajmëroi shkelje të mundshme të ligjit shtetëror dhe federal dhe kërkoi më shumë informacion.

Korporatave ose kompanive me përgjegjësi të kufizuar ‘u ndalohet të zotërojnë ose të japin me qira tokë bujqësore ose fermë në shtetin e Dakotës së Veriut’ ose ‘të përfshihen në bujqësi apo blegtori’, sipas letrës dërguar nga zyra e Wrigley për Red River Trust në Kansas, shkruan AgWeek.

Ekzistenca e letrës u pohua nga stacioni televiziv KFYR me bazë në Bismarck, i cili publikoi një kopje të faqes së parë. Letra, e datës 21 qershor, u dërgua gjithashtu në zyrat e Campbell Farms në Grafton, Dakota e Veriut.

AgWeek zbuloi më 13 qershor se Red River kishte blerë kompaninë nga vëllezërit Bill, Greg dhe Tom Campbell në nëntor 2021, duke paguar 13.5 milionë dollarë për 2,100 hektarë të veprimtarisë së tyre të kultivimit të patates.

Ligji gjithashtu vendos ‘kufizime të caktuara në aftësinë e trusteve për të zotëruar tokë bujqësore ose fermë’, thuhej në letrën drejtuar administratorit të Red River, Peter Headley.

“Zyra jonë duhet të konfirmojë se si kompania juaj e përdor këtë tokë dhe nëse ky përdorim plotëson ndonjë nga përjashtimet ligjore.”

Nëse Red River mund të tregojë se ka një përjashtim të tillë, zyra e prokurorit të përgjithshëm do e mbyllë hetimin, por nëse zbulohet se ata po shkelin ligjin, ata do të duhet të shesin tokën brenda një viti ose do të përballen me një dënim ‘deri në 100,000 dollarë’, thuhet në letër.

Gates, i cili bëri pasurinë e tij në Microsoft, u tërhoq për të ndjekur një sërë kauzash – nga vaksinat në mbarë botën deri te blerja e tokës në SHBA – përmes Fondacionit Bill dhe Melinda Gates. Gates ka sugjeruar se interesi i tij në bujqësi kishte të bënte me farat dhe biokarburantet dhe mbështeti kalimin te mishi sintetik si një mënyrë për të luftuar ndryshimet klimatike.

Duke përdorur një rrjet korporatash, trustesh dhe kompanish të menaxhimit të aseteve, manjati i softuerit kishte blerë më shumë se 240,000 hektarë tokë bujqësore që nga viti 2021, me LandReport.com që e quajti atë ‘pronari kryesor i tokës bujqësore në Amerikë’.