Vendosni fjalën kyçe....

Boçi: Nuk është vetëm vetoja bullgare arsye për mos çeljen e negociatave, nuk është Evropa e sëmurë si Putini por Rama


Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi në një deklaratë për shtyp tha se nuk është vetëm vetoja e Bullgarisë pengesë për çeljen e negociatave me BE-në.

Boçi renditi një sërë shkaqesh se pse BE-ja heziton në çeljen e negociatave duke përmendur shpopullimin, korrupsionin apo vjedhjen e tokës publike dhe manipulimin e zgjedhjeve.

Në emër të Partisë Demokratike dhe grupit të saj parlamentar, përshëndes parlamentin bullgar për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut.

Ky është një hap i parë kyç në zhbllokimin e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut në Bashkimin Europian.

Ritheksojmë faljen, që i kërkoi sot Kryetari i Partisë Demokratike kombit bullgar, për gjuhën prej fyesi serial të kryeministrit Rama.

Duke shtuar këtu se, heqja e vetos do ta rifusë procesin e integrimit në shinat e vërteta, ato të meritokracisë.

Partia Demokratike beson se nuk është vetoja bullgare arsyeja e moshapjes së negociatave, por një radhë shkaqesh të tjera:

Ndër to:

-Shpopullimi masiv i vendit, që ka derdhur në dyert e Europës më shumë shqiptarë se sa banorë të zonave të luftës në Afrikë dhe Lindje të Mesme;

-Korrupsioni me shokët ministra dhe shokët e ministrave, një pjesë në kërkim kombëtar e ndërkombëtar;

-Përfshirja në vjedhje të pasurive publike, në trafik droge, dhe dhënia e statusit të investitorit strategjik të familjarëve të ministrave.

-Njolla e zgjedhjeve të manipuluara, që e kemi parë në kaq shumë përgjime e raporte.

-Kur thotë se Europa është më e sëmurë se Putini, ne i kujtojmë zotërisë në fjalë se Shqipëria, nën keqqeverisjen e tij, është kthyer në të ‘sëmurën e Europës’”-deklaroi Boçi.