Vendosni fjalën kyçe....

Kremlini: Dhënia e statusit kandidat për Ukrainën çështje e brendshme e BE-së


Kremlini tha të premten se vendimi i Bashkimit Evropian për t’i dhënë statusin e kandidatit Ukrainës, aty ku Rusia po zhvillon një fushatë ushtarake është tërësisht “një çështje e brendshme” e unionit.

“Këto janë, natyrisht, çështje të brendshme evropiane,” u tha Peskov gazetarëve në një konferencë për mediat.

“Për ne është thelbësore që të gjitha këto procese të mos sjellin më shumë probleme tek ne dhe në marrëdhëniet e vendeve të lartpërmendura me ne. Dhe se kjo nuk çon në një përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve tona me BE-në.”

Gjithashtu të premten, edhe ministri i jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov tha se perspektiva evropiane e Ukrainës dhe Moldavisë nuk përbënte “rrezik” për Rusinë, pasi sipas tij BE-ja nuk është një aleancë ushtarake.

Megjithatë, ai akuzoi BE-në dhe NATO-n se po mbledhin një “koalicion” për t’u përgatitur për një luftë me Rusinë, duke i krahasuar ato me aleancën naziste të Luftës së Dytë Botërore.

“Hitleri nën flamurin e tij kishte bashkuar një pjesë të madhe të vendeve evropiane për të luftuar kundër Bashkimit Sovjetik”, tha Lavrov gjatë një vizite pune në Azerbajxhan.

“Sot BE-ja dhe NATO po bashkojnë një koalicion të tillë për të bërë luftë kundër Rusisë.”