Vendosni fjalën kyçe....

Lituania gati të zgjerojë bllokadën e Kaliningradit – Presidenti i vendit


Vilnius është gati të zgjerojë listën e mallrave të ndaluara nga tranziti në enklavën ruse të Kaliningradit, nëse Bashkimi Evropian vendos sanksione të reja kundër Moskës, tha në mesjavë presidenti lituanez Gitanas Nauseda.

Vendi është gjithashtu i gatshëm të përballet me çdo masë të mundshme hakmarrëse që Rusia mund të paraqesë, tha ai për Reuters në një intervistë.

“Ne jemi gati dhe jemi të përgatitur për veprime jomiqësore nga Rusia, të tilla si shkëputja nga sistemi elektrik BRELL, apo të tjera.” – tha Nauseda.

Presidenti theksoi se kufizimet e tranzitit nuk ishin një lëvizje sovrane nga Lituania, por thjesht zbatimi i sanksioneve të BE-së kundër Moskës të vendosura për konfliktin e vazhdueshëm në Ukrainë.

“Ne ndiejmë mbështetjen e Bashkimit Evropian, sepse ky është një vendim i marrë nga Bashkimi Evropian.” tha ai, duke shtuar se vendi ishte i gatshëm të zgjeronte listën e mallrave të ndaluara nëse blloku vendos kufizime të reja kundër Rusisë.

Gjatë fundjavës, operatori hekurudhor kombëtar i Lituanisë ndaloi qarkullimin e mallrave të sanksionuara midis rajonit dhe pjesës tjetër të Rusisë, duke përmendur udhëzimet nga Komisioni Evropian. Kufizimet kanë prekur gjithashtu trafikun rrugor në enklavë, sipas zyrtarëve të Kaliningradit. Si Vilniusi ashtu edhe BE këmbëngulin se kufizimet nuk përbëjnë një ‘bllokadë’ të enklavës.

Moska, megjithatë, e ka cilësuar pa mëdyshje lëvizjen e Vilniusit si një ‘bllokadë ekonomike’ të Rajonit të Kaliningradit, duke deklaruar se ajo ka shkelur detyrimet ndërkombëtare të vendit për të siguruar tranzitin e pandërprerë të mallrave në enklavë.