Shqipëria pritet të tatojë procesin e prodhimit (mining) të kriptovalutave duke filluar nga viti i ardhshëm.
Ligji i ri i tatimit mbi të ardhurat, i hedhur për konsultim publik nga qeveria shqiptare, parashikon për herë të parë konceptin e të ardhurave nga mjetet virutale, përfshi kriptomonedhat dhe tatimin e tyre.
Projektligji sjell për herë të parë përkufizimin e mjetit virtual, si “pasqyrim digjital të një vlere që mund të depozitohet, të tregtohet apo të transferohet në formë digjitale, si dhe që mund të përdoret për qëllime pagesash ose investimesh apo si mjet shkëmbimi, duke përfshirë por pa u kufizuar te kriptomonedha”.
Në këtë përkufizim nuk do të përfshihen pasqyrimet digjitale të monedhave të njohura zyrtarisht si të nxjerra ose të garantuara nga bankat qendrore ose një autoritet publik, të letrave me vlerë dhe mjeteve të tjera financiare që janë parashikuar nga legjislacioni në fuqi.
Ndërsa nxjerrja ose përfitimi i mjeteve virtuale (mining) sipas ligjit nënkupton “veprimtarinë e përdorimit të fuqisë kompjuterike të përdoruesve të sistemit për zgjidhjen e algoritmeve kriptografike, me qëllim konfirmimin e transaksioneve dhe përfitimin e mjeteve virtuale në këmbim, si dhe veprimtaria e përpunimit dhe konfirmimit të transaksioneve përmes investimit të një mjeti virtual të caktuar nga ana e përdoruesve të nyjeve kompjuterike pjesëmarrëse në këtë proces.
Të ardhurat nga nxjerrja/përfitimi i mjeteve virtuale dhe të ardhurat nga transaksionet me mjetet virtuale, sipas projektligjit, do të klasifikohen si të ardhura nga biznesi (në rastet kur këto aktivitete kanë një lidhje efektive me aktivitetin e biznesit) ose, në rastin kur nuk konsiderohen si të ardhura nga biznesi, do të klasifikohen si të ardhura nga investimi.
Shkalla e tatimit do të përcaktohet mënyra e klasifikimit. Të ardhurat nga investimi sipas ligjit aktual dhe projektligjit të ri tatohen në masën 15%, me përjashtim të dividendëve. Të ardhurat nga biznesi kanë shkallë të ndryshme tatimi, në varësi të madhësisë dhe formës ligjore të biznesit.
Sipas projektligjit, mënyra e llogaritjes së vlerës së mjeteve virtuale do të përcaktohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.
Në vitin 2020, Shqipëria u bë një nga vendet e para që vendosi të rregullonte me ligj aktivitetin e tregtimit të kriptovalutave, por jo nxjerrjen apo përfitimin e tyre. Ky ndryshim ka krijuar një lloj paqartësie edhe mes organeve ligjzbatuese.
Në vitet e fundit, disa aktivitete të prodhimit të kriptovalutave janë mbyllur dhe madje ndaj zotëruesve të tyre janë ngritur edhe akuza penale, megjithëse legjislacioni shqiptar nuk parashikon asnjë ndalim për të nxjerrë/përfituar kriptovaluta. Përcaktimet e parashikuara në ligjin e ri për tatimin mbi të ardhurat, veç të tjerash, pritet ta formalizojnë këtë aktivitet.
Nga momenti që procesi i krijimit të asetve virtuale përcaktohet shprehimisht si e ardhur e tatueshme, atëherë të gjitha subjektet që kryejnë një aktivitet të tillë duhet të regjistrohen si tatimpagues dhe të paguajnë detyrimin ligjor për vlerën e aseteve virtuale që do të krijojnë.
Megjithëse Shqipëria ka krijuar një kuadër ligjor për tregtimin e kriptomonedhave, në fakt deri më sot nuk ka asnjë subjekt të licencuar për këtë qëllim. Në rezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së AMF për vitin 2021, Kuvendi kërkon që ky institucion të miratojë brenda vitit 2022, aktet rregullatore në zbatim të ligjit “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, si edhe të intensifikojë bashkëpunimin me autoritetet rregullatore ndërkombëtare për marrjen e eksperiencave më të mira për këtë treg.
Ligji hyri në fuqi në datën 1 shtator 2020, por zbatimi i plotë i tij ende nuk është i mundur, pikërisht për shkak të mungesës së të gjitha akteve të nevojshme nënligjore.
Vetëm në nëntor të vitit të kaluar, Bordi i AMF miratoi dy rregulloret e para në zbatim të këtij ligji, “Për mjaftueshmërinë e kapitalit dhe fondet e veta të subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë në tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” dhe “Për licencimin e subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë si agjent i tokenit digjital”.
Këtë vit, AMF ka nxjerrë për konsultim edhe një projektrregullore të tretë, “Për licencimin e subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë si bursë DLT”.
Rënia e tregut të kriptovalutave
Në vitet e fundit, kriptovalutat janë shndërruar në një fenomen të tregjeve financiare, që synojnë të thyejnë konceptin klasik të financës së centralizuar, duke e zëvendësuar atë me sistemet blockchain, një model i decentralizuar, që nuk kontrollohet apo garantohet nga një emetues i vetëm. Ajo mund të shpjegohet si një bazë të dhënash e decentralizuar që regjistron origjinën e një aseti dixhital. Të dhënat ruhen të inkriptuara në blloqe, të lidhura së bashku në një burim të vetëm dhe autentik.
Kriptomonedha e parë dhe më njohur ishte bitcoin, ndërsa suksesi i saj në vitet e fundit ka nxitur prodhimin dhe hedhjen në qarkullim të disa mijëra kriptomonedhave të tjera. Pas një faze lulëzimi, që e çoi kriptomonedhën më të famshme bitcoin deri sipër vlerës së 60 mijë dollarëve amerikanë, në muajt e fundit ky treg po përballet me një rënie të fortë. Bitcoin (që përfaqëson rreth një të tretën e gjithë vlerës së tregut të kriptomonedhave), aktualisht tregohet pranë vlerës së 20 mijë USD.
Rënia e tregut të kriptomonedhave lidhet me faktorë të ndryshëm, duke filluar nga rënia e tregjeve në përgjithësi, të lidhur me inflacionin e lartë dhe me shtrëngimin monetar të nisur nga bankat qendrore. Shumë ekspertë besojnë se ky treg ishte tejet i fryrë dhe i mbiçmuar, ndaj në momentin kur tregjet financiare u përballën me një cikël rënieje, ato ishin ndër asetet që e vuajtën më shumë këtë cikël.
Rënia e vazhdueshme shkaktoi një efekt të zakonshëm të panikut tek investitorët, që solli shitje në vlera të mëdha dhe që e ulët edhe më shumë vlerën e këtyre aseteve. Për shembull, kriptovaluta Terra në maj pësoi një rënie të vlerës shumë pranë zeros, ndërsa në kohën e vet më të mirë kishte pausr një vlerë tregu prej rreth 50 miliardë USD.
Rrokullisja e tregut të kriptove ka sjellë humbje të mëdha për shumë investitorë që ishin përfshirë nga euforia e këtyre instrumenteve, por megjithatë ky treg ende ka një vlerë prej më shumë se 1 trilionë USD.
Ekspertët e financës tradicionale vazhdojnë të mbajnë një qëndrim skeptik ndaj këtyre aseteve. Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, deklaroi në muajin maj se kriptomonedhat janë asetet që nuk kanë asnjë vlerë. Edhe për shkak të kësaj qasjeje, ekspozimi i institucioneve financiare klasike ndaj këtyre investimeve është në nivele të papërfillshme. E/ Shehu.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor