Dy persona janë arrestuar në Tiranë ndërsa tre të tjerë janë proceduar penalisht pasi akuzohen se kishin përshtatur qendrat e masazhit në vende ku ushtrohej prostitucion.
Në pranga kanë rënë 30-vjeçarja me iniciale J.D. dhe 20-vjeçarja me iniciale R.L., banuese në Tiranë të cilat akuzohen për mbajtjen e lokaleve për prostitucion.
Aty kishin dy qendra masazhi në zonën e ish-Bllokut dhe 21 Dhjetorit në Tiranë.
Janë proceduar penalisht personat me iniciale A.Ll,, Xh.T. e A.L. Ndërkohë në kërkim janë shpallur dy persona me iniciale P.N. e E.D.
Njoftimi
“Goditen 2 raste të shfrytëzimit të qendrave të masazheve për prostitucion, vihen në pranga 2 shtetase.
Procedohen penalisht 3 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për veprimtarinë e kundërligjshme të prostitucionit në 2 qendra masazhesh, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “SPA”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi i shtetaseve:
– J. D., 30 vjeçe dhe R. L., 20 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.
Shtetaset J. D. dhe R. L. administronin dy qendra masazhesh, në zonën e quajtur “Ish-Blloku” dhe në zonën e quajtur “21 Dhjetori”.
Përveç aktivitetit të regjistruar si qendër masazhesh, në këto ambiente ushtrohej edhe aktiviteti i kundërligjshëm i prostitucionit.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit A. Ll., Xh. T., për veprën penale “Prostitucioni” dhe A. L., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni u shpallën në kërkim shtetasit P. N. dhe E. D. Vijon puna për kapjen e tyre.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.”