Shërbimi Informativ Shtetëror ka publikuar raportin vjetor të punës për vitin 2021.
Në dokumentin e bërë publik nga SHISH theksohet se veprimtaria e grupeve kriminale në fushën e lëndëve narkotike është rritur ndjeshëm si brenda dhe jashtë vendit.
Në raport citohet se anëtarët e organizatave kriminale shqiptare tashmë janë pozicionuar në vendet e origjinës ku prodhohen lëndët narkotike, duke ndikuar në zgjerimin e rrjeteve kriminale.
“Kundërvënia ndaj aktivitetit të grupeve kriminale në përgjithësi, dhe atyre të përfshira në trafikun e lëndëve narkotike në veçanti, është rritur ndjeshëm si brenda dhe jashtë vendit. Megjithatë, pavarësisht rezultateve domethënëse, kundërvënia ndaj trafikimit të lëndëve narkotike mbetet sfidë e rëndësishme, për shkak të evoluimit të mënyrave të operimit të tyre pas goditjeve. Faktorë nxitës dhe tërheqës të aktivitetit kriminal në vend dhe rajon mbeten: anëtarët e tyre të pozicionuar tashmë në vendet e origjinës ku prodhohen lëndët narkotike; lidhjet me rrjete kriminale ndërkombëtare dhe rajonale; realizimi i kërkesave paraprake apo marrëveshjeve të shtyra në kohë për shkak të kufizimeve nga pandemia; mbulimi i kostove të shkaktuara nga sekuestrimet dhe arrestimet.
Grupet kriminale po bëhen përherë e më shumë heterogjene dhe po diversifikojnë fushat e veprimtarisë. Anëtarët e grupeve shqiptare të trafikut të drogës kanë krijuar kontakte të drejtpërdrejta edhe me prodhuesit direkt të drogave, duke fituar “besimin reciprok”. Një tjetër faktor nxitës i këtij aktiviteti vlerësohet gatishmëria në rritje e grupeve të krimit të organizuar në vendet e origjinës së lëndëve narkotike, për t’u angazhuar me grupe kriminale jo-vendase, gjë që ka ndikuar në zgjerimin e kufijve të këtyre rrjeteve, përtej lidhjeve të mëparshme etnike, familjare apo të karteleve. Kultivimi i bimëve narkotike i llojit kanabis sativa ka vijuar me zhvendosje të zonave dhe evoluim të mënyrave të ndërthurura në ambiente të hapura dhe të mbyllura. Kjo veprimtari e paligjshme favorizohet më së shumti nga kërkesat në rritje për kanabis nga grupe kriminale, përdorimi i tij për shkëmbim me droga të forta si heroinë dhe për mbulim të goditjeve financiare”, thuhet në raportin e SHISH.