Vendosni fjalën kyçe....

Albin Kurti për “Washington Post”: Pse mbrojtja e Kosovës nga Rusia është e rëndësishme për vetë Amerikën


Lufta e Rusisë kundër Ukrainës po i detyron të gjitha vendet evropiane të rishqyrtojnë marrëdhëniet e tyre strategjike dhe ushtarake. Për Kosovën, agresioni rus konfirmon besimin se ajo ka nevojë për një partneritet më të fortë me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

Në një intervistë për “Washington Post”, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se aleanca SHBA-Kosovë duhet të forcohet patjetër dhe kjo, jo vetëm për nevojën e Kosovës.

Kurti i tha gazetarit Jason Rezaian, se kjo është e rëndësishme edhe për vetë Amerikën.

Sipas Kurtit, qëllimi i Rusisë në destabilizimin e Kosovës, nuk ka të bëjë vetëm me sulm direkt ndaj shtetit të ri, por edhe me shpërfaqjen e një dështimi të intervenimit të NATO-s dhe investimit amerikan.

“Putini dëshiron ta kthejë Kosovën në një vend të dështuar. Pasi Putin konsideron se intervenimet në Afganistan dhe Irak kanë dështuar, vetëm Kosova ka mbetur si rast suksesi. Ai dëshiron ta konsiderojë Kosovën si një sukses të përkohshëm. Prandaj, mbrojtja e Kosovës është shumë e rëndësishme.”- deklaron Kurti për Washington Post.

Në zgjerim të tezës së tij për qëllimet finale të Rusisë, Kurti i shpjegon Rezaian-it se “janë dy pole në botë: ShBA-të dhe Rusia”.

Prandaj, “sulmi i Putinit në Ukrainë është tentim për t’u ulur me Biden për një lloj konference Jalta 2. Këtë përshtypje kam. Le ta ndajmë botën, sepse po nuk e bëmë do vazhdojmë të luftojmë. Kështu e do ai, besoj unë”.

Kryeministri i Kosovës ka folur edhe për dialogun me Serbinë në kontekstin e çështjeve të sigurisë.

“S’mund ta njoh një Serbi që s’më njeh mua. Prandaj është e nevojshme një njohje e dyanshme, dhe ne jemi gati të përfshihemi në këtë lloj dialogu”.