Vendosni fjalën kyçe....

Berisha kritikon Ramën për deklaratat në Bruksel: Gjuha politike e tij e padenjë për një shtetar



Kreu i PD-së Sali Berisha ka kritikuar sot kryeministrin Edi Rama për gjuhën politike të përdorur në Bruksel dy ditët e fundit në Samitin e BE-së.

Në një postim në “Facebook”, Berisha e cilëson të papranueshme dhe të padenjë për një shtetar gjuhën politike të Ramës

Berisha shkruan se përgjigja e pafre e Ramës ndaj Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë, po me të njëjtën gjuhë, tregon edhe njëherë se Rama ka për qëllim izolimin e Shqipërisë.

“Bullgaria as që nuk do tja dijë për demagogjinë dhe katallogjet me piktura që Rama shpërndan nëpër takime lart e poshtë, prandaj edhe Ministria e Jashtme e Bullgarisë del me deklaratë publike kundër qëndrimeve të Ramës në Bruksel.

Përgjigja e pafre e Ramës ndaj Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë, po me të njëjtën gjuhë të një diletanti e dështaku politik, tregon edhe njëherë se Rama ka për qëllim izolimin e Shqipërisë ne Ballkanin e Putinit dhe jo hapjen e saj drejt BE.”- shkruan Berisha.

Sipas ish-kryeministrit, hipokrizia e Ramës shkon deri në pikën kulmore sa të flasë në “interes” të Kosovës ndërkohë që “vëllazëron” me Vuçiçin për projektin e “Ballkanit te Hapur”.

KOMENTI I PLOTË I BERISHËS

Gjuha politike e Ramës e padenjë për një shtetar. Ajo turpëron dhe ka kosto për vendin dhe çdo shqiptar.

Të dashur miq, nuk është hera e parë që komunikimi, fjalori dhe etika e Edi Ramës, brenda dhe jashtë Shqipërisë, është e padenjë dhe ordinere.

Gjuha politike e papranueshme e Ramës, e paprecedent dhe e papërgjegjshme, si e asnjë kryeministri tjetër në Europë e përdorur në Samitin e BE-së, si dhe sulmi i drejtpërdrejtë ndaj Bullgarisë, dëshmojnë një sërë problemesh thelbësore për figurën dhe qeverisjen e tij:

  1. Rama, i klasifikuar nga politika, gazeta më influente në Bruksel dhe Ëashington si lideri më i dobët në Europë, është një politikan inferior, politikisht dhe intelektualisht, në rajon e më gjerë, i cili përpiqet të zëvendësojë mangësitë e mëdha herë me veshje bizare për protokollet zyrtare dhe herë të tjera me sharje, etiketime dhe me palaçollëqet e nivelit më të ulët të përfaqësisë së një vendi anëtar në NATO.
  2. Arroganca dhe injoranca e Ramës e nxjerr zhveshur nga kostumi politik, dhe, siç e dimë të gjithë, ai nuk para e ka problem lakuriqësinë.
  3. Ai dhe qeveria e tij, më të korruptuarit në Europë, janë të vetmit përgjegjës për JO-në e radhës nga BE-ja. Shqipëria përsëri nuk e mori dritën jeshile të anëtarësimit në Union dhe për këtë sigurisht që ka fajtorë. Këtë ai përpiqet të mbulojë duke tërhequr vëmendjen me gjëra të tjera.
  4. Kreu i shtetit shqiptar, Kolumbisë së Europës, vendi ku qeveria nuk zhvillon zgjedhje të lira ka për qëllim të tërheqë vëmendjen nga problematikat shkatërrimtare që ka sjellë në vend, duke bërë që mediat europiane dhe vendase të flasin për gjuhën e përdorur dhe jo arsyet reale përse Ramës iu refuzua për të tretën herë hapja e negociatave.
  5. Bullgaria as që nuk do tja dijë për demagogjinë dhe katallogjet me piktura që Rama shpërndan nëpër takime lart e poshtë, prandaj edhe Ministria e Jashtme e Bullgarisë del me deklaratë publike kundër qëndrimeve të Ramës në Bruksel.
  6. Përgjigja e pafre e Ramës ndaj Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë, po me të njëjtën gjuhë të një diletanti e dështaku politik, tregon edhe njëherë se Rama ka për qëllim izolimin e Shqipërisë ne Ballkanin e Putinit dhe jo hapjen e saj drejt BE.
  7. Hipokrizia e Ramës shkon deri në pikën kulmore sa të flasë në “interes” të Kosovës ndërkohë që vllazëron me Vuçiçin për projektin e tyre të “Balkanit te Hapur idenë e rikthimit të ish Jugosllavisë nëpërmjet tij.
  8. Rama është politikani më i paditur, me i dështuar në historinë e tranzicionit shqiptar, në fushën e diplomacisë dhe marrëdhënieve me jashtë.