Vendosni fjalën kyçe....

Interpoli arreston 4 shqiptarët e shumëkërkuar në Europë dhe i ekstradon në Rinas


Katër shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar, janë arrestuar nga Interpoli në tre shtete europiane: Itali, Gjermani dhe Francë.

Bëhet fjalë për Bekim Lekajn, Romario Kapidanin, Ervis Martinin dhe Deivis Jahon.

Personat e arrestuar pas mbërritjes në Rinas janë dërguar në qeli për kryerjen e procedurave të mëtjeshme. Ata rezultojnë të dënuar nga Gjykatat shqiptare.

NJOFTIMI

Në kuadër të bashkëpunimit me homologët italianë, nga ZQK Interpol Tirana u ekstradua nga Italia, shtetasi shqiptar:

Bekim Lekaj, 30 vjeç, banues në Tropojë.

Këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër e ka dënuar me 8 vjet, 2 muaj e 10 ditë burgim, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë.

Nga ZQK Interpol Tirana u ekstradua nga Stuttgart, Gjermani, drejt vendit tonë, shtetasi shqiptar:

Romario Kapidani, 28 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim sepse Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar me 5 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 2 vjet e 8 muaj burgim.

Gjithashtu, nga ZQK Interpol Tirana u ekstradua nga Dusseldorf, Gjermani, shtetasi shqiptar:

 Ervis Martini alias Ervis Krasniqi, 29 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. 

Në vijim të bashkëpunimit me homologët francezë, nga ZQK Interpol Tirana u ekstradua nga Parisi, Francë, shtetasi shqiptar:

Deivis Jaho, 30 vjeç, lindur në Kamzë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 1 vit burgim, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.