Vendosni fjalën kyçe....

Kremlini komenton dhënien e statusit kandidat për në BE, Ukrainës e Moldavisë


Është punë e Brukselit të vendosë se kujt do t’i japë statusin e kandidatit për në BE, por kjo duhet të bëhet në një mënyrë që nuk do krijonte më shumë probleme për Rusinë, tha të premten sekretari i shtypit i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Kur u pyet për të komentuar vendimin e Këshillit Evropian për t’i dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e kandidatëve të BE-së, Peskov theksoi se ‘këto janë, natyrisht, çështje të brendshme evropiane’.

Megjithatë, ai shtoi se ‘është shumë e rëndësishme për ne që ato procese të mos krijojnë më shumë probleme për ne dhe për marrëdhëniet tona me ato vende’.

“Ka mjaft nga ato probleme tashmë.” – pranoi zëdhënësi, duke iu referuar operacionit ushtarak të vazhdueshëm të Rusisë në Ukrainë dhe kursit të ndërprerjes së lidhjeve me Moskën që mori Moldavia që kur Maia Sandu u bë presidente vitin e kaluar.

Gjithashtu nuk duhet të çojë në përkeqësim të mëtejshëm të lidhjeve midis Moskës dhe Brukselit, vazhdoi Peskov. Ai shprehu keqardhjen që Moldavia ‘për disa arsye e lidh statusin e saj kandidat me marrjen e një qëndrimi gjithnjë e më antirus’.

“Ata mendojnë se sa më shumë antirus të bëhen, aq më shumë do t’i pëlqejnë evropianët. Ne vërtet nuk duam që kjo të ndodhë.” – tha ai.

Peskov theksoi gjithashtu se sigurimi i statusit të kandidatit nuk ishte garanci për t’u bërë një anëtar i BE-së.

Ai kujtoi se si në kohën sovjetike ai kishte punuar si diplomat në ambasadën në Turqi dhe vendi ‘ishte gati të hiqte dorë nga shumë gjëra për t’u bërë një pjesë organike e Evropës’.

“Epo, ne shohim se Turqia nuk ka shkuar ende askund më larg se ky status kandidat, por në të njëjtën kohë është bërë një vend sovran dhe i pavarur.” – argumentoi Peskov.