Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Në Ballkan prodhojmë më shumë histori se ç’mund të presim, përdoreni çmendurinë tonë për t’u marrë me të tjerët


Kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer batutat në Forumin Europian Wachau në Austri.

Ndërsa po komentonte bisedën me kancelarin Karl Nehammer gjatë qëndrimit të tij në Vjenë, Rama theksoi se Ballkani ka një cilësi që nuk e gjen në asnjë vend të botës, pasi prodhon më shumë histori se ç’mund të pritet. Ai bëri batuta për lashtësinë greke, si dhe kafen turke për të cilën thotë se është aq e fortë sa më mirë të mos provohet.

Rama shtoi se shqiptarët janë besnikë dhe të çmendur dhe kjo gjë e fundit sipas tij duhet përdorur nga evropianët.

“Për ta bërë të mundur që paqja të mos jetë më e kthyeshme. Jemi shumë të mirë për të bërë gjëra të tmerrshme. Bashkëpunimi të jetë norma. 4 liritë e Europës të jetë mënyra se si ne jetojmë. Ndoshta keni dëgjuar që ky quhet procesi i Berlinit. Ne duam ta zbatojmë, për këtë kemi ndërtuar mjetin që quhet Ballkani i Hapur. Është mjeti për të zbatuar procesin e Berlinit. Dua të përmend kancelarin.

Në një moment që po flisnim se si çështjet historike, kur merren nga politika për t’u zgjidhur, bëhen më të pazgjidhshme se ç’janë në të vërtetë. Më tha që nëse Austria do të kishte marrë këtë rrugë për të hapur çështje të vjetra historike dhe t’i trajtonte në mënyrë politike, kjo hapësirë do të kishte qenë më keq se Ballkani Perëndimor. Në Ballkan kemi një cilësi që nuk e gjeni në asnjë vend të botës. Prodhojmë më shumë histori se ç’mund të presim.

Në Ballkan kemi gjithnjë në mendje se jemi më të vjetrit, ne shqiptarët mendojmë se jemi më të vejtrirt, por të pyesësh serbët s’të lënë hapësirë, le të shkojmë tek turqit, ata mund të nisin edhe një zënkë nëse është kafe turke apo greke. Është e ndërlikuar. Maqedonasit dhe bullgarët e njëjta gjë, kini durim me ne të dashur miq, pavarësisht problemeve tona, që më duhet t’i theksoj. Jemi viktima të historisë sonë dhe vetvetjes, jemi njerëz të mirë, besnikë, dhe të çmendur. Më mirë të na keni me ju dhe kur na keni me vete merrni më të mirën nga ne, mënyrë tonë të të qenurit mirë dhe mund ta përdorni çmendurinë tonë për ‘tu marrë me të tjerët’.” – tha Rama.