Vendosni fjalën kyçe....

Të shtëna me armë në klubin e homoseksualëve në Oslo, dy të vdekur dhe 14 të plagosur


Dy persona u vranë dhe 14 të tjerë u plagosën të shtunën nga të shtënat me armë zjarri në një klub nate dhe në rrugët e kryeqytetit të Norvegjisë, Oslo.

Siç shkruan Reuters, policia norvegjeze u tha gazetarëve se kanë arrestuar një të dyshuar, që besohet të jetë autori i vetëm i sulmit.

I dyshuari thuhet se ishte i njohur për autoritetet.

Skena e krimit nisi nga Londra Pub dhe në vazhdim në një rrugë aty pranë ku u kap i dyshuari, tha zëdhënësi i policisë Tore Barstad për gazetën Aftenposten. London Pub është një bar dhe klub nate i njohur homoseksualësh në qendër të Oslos.

“Pashë një burrë që mbërriti me një çantë, ai nxori një armë dhe filloi të qëllonte.”– raportoi gazetari Olav Roenneberg i transmetuesit publik NRK.

Nuk dihet menjëherë se cili ishte motivi i sulmit.

Oslo do të mbajë paradën e saj vjetore të Krenarisë më vonë të shtunën, vetëm disa muaj pasi Norvegjia shënoi 50 vjet nga heqja e një ligji që kriminalizonte seksin homoseksual.

Kryeministri Jonas Gahr Stoere tha në një deklaratë për agjencinë norvegjeze të lajmeve NTB se ky ishte një “sulm i tmerrshëm dhe thellësisht tronditës ndaj njerëzve të pafajshëm”.

“Ne nuk e dimë ende se çfarë fshihet pas këtij akti të tmerrshëm, por njerëzve queer që janë të frikësuar dhe në zi, dua t’u them se jemi së bashku me ju.”

Policia njoftoi se nga kjo ngjarje, dy persona u konfirmuan të vdekur dhe rreth 14 persona u dërguan në spital, disa me lëndime të rënda.