Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky pranon se lufta po bëhet e vështirë për t’u përballuar por premton se: Ukraina do t’i rifitojë qytetet e humbura


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të shtunën se Ukraina do t’i rifitonte të gjitha qytetet që kishte humbur ndaj Rusisë, duke përfshirë edhe Sievierodonetsk-un. Megjithatë pranoi se lufta po bëhej e vështirë për t’u trajtuar emocionalisht.

Në një fjalim në video të publikuar natën vonë, ai tha se Ukraina ishte goditur nga 45 raketa ruse gjatë 24 orëve të mëparshme, të cilat ai i përshkroi si një përpjekje cinike për të thyer shpirtin e popullit të tij.

“Prandaj, të gjitha qytetet tona: Sievierodonetsk. Donetsk, Luhansk… do t’i kthejmë të gjitha.”– tha ai sipas Reuters.

Kjo ishte e vetmja herë që ai përmendi qytetin Sievierodonetsk në një fjalim, i cili më në fund ra në duart e forcave të Moskës më herët gjatë ditës pas javësh luftimesh brutale.

“Në këtë fazë të luftës është shpirtërisht e vështirë, emocionalisht e vështirë… ne nuk e dimë se sa do të zgjasë, sa goditje të tjera, humbje dhe përpjekje do të nevojiten para se të shohim se fitorja është në horizont.”– tha ai.

Zelensky tha se sulmet e pamëshirshme me raketa konfirmuan se sanksionet kundër Rusisë nuk ishin të mjaftueshme për të ndihmuar Ukrainën, e cila kishte nevojë për më shumë armë.

“Sistemet e mbrojtjes ajrore – sistemet moderne që kanë partnerët tanë – nuk duhet të jenë në terrene stërvitore ose në depo, por në Ukrainë, ku ato nevojiten tani, nevojiten më shumë se kudo tjetër në botë.”– tha presidenti ukrainas.