Vendosni fjalën kyçe....

Bordi i Transparencës rrit me 10 lekë çmimin e sheqerit


Çmimi i sheqerit është rritur me 10 lekë. Kështu ka vendosur sot Bordi i Transparencës dhe Monitorimit të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë/Pakicë.

Kështu, në mbledhjen e sotme Bordi vendosi që qytetarët do ta blejnë 1kg sheqer me 114 lekë/kg.

Kujtojmë se që prej datës 10 qershor sheqeri është shitur në treg me vlerë 104 lekë. Çmimet e produkteve të tjera bazë, si mielli dhe orizi kokërrgjatë mbeten të pandryshuara.

VENDIMI I PLOTË

Vendim i Bordit të Transparencës të Monitorimit të çmimeve të produkteve ushqimore bazë, datë 27.06.2022 Bordi i Transparencës dhe Monitorimit të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë/Pakicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të tjera të lidhura me to në zbatim të aktit normativ nr. 7, datë 18.03.2022 “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”.

VENDOSI

1-Miratimin e marzheve që do të aplikohen për produktin ushqimor bazë sheqer, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar nga rritja e çmimeve ndërkombëtare.

2-Për artikullin sheqer (1 kg) miratohen marzhet si më poshtë:
a.Marzhi tavan i tregtimit të shitjes me shumicë të sheqerit nga importuesi dhe ambalazhuesi është 15 lekë/kg (6 lekë/kg për importuesin dhe 9 lekë/kg për ambalazhuesin) mbi koston e importit plus detyrimet e paguara në doganë.

b.Marzhi i tregtimit të transportuesit i cili mund të jetë shitësi me shumicë, shitësi me pakicë apo palë të treta, nga magazina e shitësit me shumicë tek magazina e shitësit me pakicë është 2 lekë/kg mbi çmimin e llogaritur sipas gërmës “a” të këtij paragrafi.

c.Marzhi i tregtimit të shitjes në njësitë e tregtimit me pakicë të produktit sheqer është 3 lekë/kg mbi çmimin e llogaritur sipas gërmës “a” të këtij paragrafi plus transportin sipas gërmës “b” të këtij paragrafi.

3-Ky vendim është i detyrueshëm për të gjitha subjektet që tregtojnë me shumicë/pakicë produktin e përcaktuara në këtë vendim.

4-Në pasqyrën nr. 1 më poshtë jepen të dhënat në lidhje me përllogaritjet e çmimit tavan të tregtimit sipas marzheve të përcaktuara në pikën 2 të këtij vendimi.

5-Ky vendim hyn në fuqi në datë 27.06.2022 dhe i shtrin efektet deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit.