Vendet e G7-ës janë zotuar të ofrojnë mbështetje për Ukrainën në të gjitha format e mundshme ‘për aq kohë sa duhet’, sipas një draftkomunikate të samitit në vijim, të parë nga Bloomberg.
Takimi treditor i liderëve të G7-ës filloi të dielën në Bavari të Gjermanisë, ku në rendin e ditës mbizotëroi konflikti ukrainas.
“Ne do vazhdojmë të ofrojmë mbështetje financiare, humanitare, ushtarake dhe diplomatike dhe do të qëndrojmë me Ukrainën për aq kohë sa të duhet.” – thuhet në draftin e deklaratës së liderëve.
Rusia ka paralajmëruar SHBA-në, BE-në dhe aleatët e tyre kundër furnizimit të Ukrainës me armë, duke thënë se kjo vetëm do të zgjasë konfliktin. Megjithatë, liderët perëndimorë i kanë anashkaluar deklaratat.
Të dielën, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson dhe presidenti francez Emmanuel Macron ranë dakord të vazhdojnë të mbështesin Kievin ushtarakisht për të ‘forcuar pozitat e vendit si në luftë ashtu edhe në çdo negociatë të ardhshme’.
Udhëheqësit e G7-ës duket se kanë rënë dakord të mbajnë presionin ekonomik ndaj Rusisë ndërsa ajo vazhdon ofensivën e saj në Ukrainë. Sipas Reuters, G7 po zhvillon gjithashtu bisedime ‘shumë të rëndësishme’ për një kufi të mundshëm në çmimin e importeve të naftës ruse.
Kancelari gjerman Olaf Scholz pranoi të dielën se bota perëndimore po përballet tani me shumë sfida: rënie të ritmeve të rritjes, rritje të inflacionit, mungesë të lëndëve të para dhe ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit. Megjithatë, ai shprehu besimin se G7 ‘do ketë sukses në dërgimin e një sinjali shumë të qartë të bashkimit nga ky samit’.
Putin, ndërkohë, foli për G7 të premten, duke pretenduar se trazirat e tanishme ekonomike në mbarë globin nuk kanë të bëjnë pak me konfliktin në Ukrainë dhe janë rezultat i ‘politikave shumëvjeçare makroekonomike të papërgjegjshme’ nga anëtarët e tij.