Vendosni fjalën kyçe....

Rusia: Goditëm me sukses fabrikën e raketave në Kiev


Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka raportuar këtë të hënë se ka kryer me sukses një sulm me raketa në një fabrikë të prodhimit të raketave në Kiev, që po përdorej për prodhimin e municioneve për sistemet e raketave të shumta lëshuese.

Ministria tha se sulmi u krye të dielën me katër raketa me precizion të lartë, të cilat arritën të gjitha në fabrikën e prodhimit të raketave Artyom, e vendosur në lagjen Shevchenkovskiy të Kievit, pa dëmtuar infrastrukturën civile në qytet.

Autoritetet në Kiev thuhet se u përpoqën të kapnin raketat ruse me precizion të lartë duke përdorur armë kundërajrore të stacionuara rreth qytetit.

Siç shkruan RT, Ministria vuri në dukje se për shkak të mungesës së dukshme të komunikimit midis sistemeve të mbrojtjes kundërajrore të vendosura në Kiev, dy raketa S-300 u rrëzuan nga ukrainasit, njëra prej të cilave ra në një ndërtesë banimi.

Mediat perëndimore, raportuan të dielën se ishin raketat ruse që ranë mbi “të paktën dy” ndërtesa apartamentesh në kryeqytetin ukrainas, sipas kryebashkiakut të Kievit Vitaly Klitschko. Ai shkroi në kanalin e tij Telegram të dielën se një person vdiq dhe katër persona u shtruan në spital si pasojë e incidentit, ndërsa 24 banorë të tjerë u evakuuan nga ndërtesa.

Një zëdhënës i Forcave Ajrore të Ukrainës pohoi se avionët rusë kishin lëshuar deri në gjashtë raketa në Kiev të dielën dhe se dy prej tyre u kapën në ajër.