Vendosni fjalën kyçe....

Safet Gjici për helmimin e qytetarëve në Kukës: Nuk është për shkak të ujit, i bëjmë analizat 3 herë në ditë


Kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjici ka reaguar pas rasteve të shumta të qytetarëve që janë paraqitur në urgjencë me shenja helmimi.

I pyetur nga gazetarët mbi aludimet se problemi mund të ketë lidhje me ujin e pijshëm, Gjici e hodhi poshtë këtë mundësi.  

Madje Gjici shtoi se analizat e ujit të pijshëm në Kukës bëhen tre herë në ditë për të pasur siguri nga qytetarët.

“Nuk është normale të abuzosh me një temë sensitive si uji i pijshëm. Nuk është e vërtetë aspak.

E dimë që viroza e stinës është gjithandej. Nuk ka lidhje fare me ujin e pijshëm. Një deklaratë që ka dhënë një mjeku në spital është keqkuptuar dhe është keqpërdorur në rrjetet sociale. Patjetër që policia do bëjë hetimet e veta. Patjetër ka kërkuar edhe analizat e ujit. Dhe na rezulton se uji i pijshëm është brenda normave dhe analizave. Nuk ndodh që të kemi probleme me ujin e pijshëm. Mund të jetë për shkak të virozës ose edhe për shkaqe të tjera dhe nuk e dimë. Se këtë ka thënë ai, mund të jetë nga kjo, nga ajo. Por mjeku nuk duhet të flasë në këtë mënyrë pa ardhur analizat.

Kemi pasur edhe raste të tjera por nuk janë bërë kaq abuzive. Uji i pijshëm është shumë i rëndësishëm për qytetarë. Ne kemi rregulla strikte për ujin e pijshëm. Çdo ditë bëhen analizat. Tre herë në ditë. Për ujin nuk ka problem. Sa i përket ujit të pijshëm. Ne do kërkojmë nga prokuroria dhe policia përgjegjësi për ata që hapin panik te qytetarët për ujë të pijshëm dhe ujë të papijshëm.”-u shpreh Gjici.

Më tej, kryebashkiaku i Kukësit paralajmëroi se do të kërkohet të mbajnë përgjegjësi të gjithë ata që abuzojnë me këtë temë.