Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, deklaroi në emisionin “Open” se projektligji për amnistinë bëhet për të legalizuar paratë e pista të ardhura nga krimi dhe droga.
“Ky është një draft për të legalizuar paratë e pista të krimit dhe korrupsionit. Shqipëria është në gjendje katastrofike me para që vijnë për shkak të infrastrukturës kriminale me transportin e drogërave të rënda dhe kanabisin, është një projekt që i shkel syrin krimit dhe mafias por u pa sot edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i PS që u fokusua tek çunat e Londrës. Nuk ka emigrant me 2 milion euro.
Parashikimi i ligjit për pastrimin e parave që kaloi 2-3 muaj më parë në Kuvend, për të shmangur persona të afërt me politikanë, është lënë një nen evaziv. Një pjesë e mirë e zyrtarëve të lartë nuk përdorin drejtpërdrejtë familjarë apo të afërm të identifikueshëm por persona të tretë të cilët përfitojnë nga paratë publike dhe tenderat. Është rasti tipik i inceneratorëve.
Nuk ka njeri në Shqipëri 2 milion euro të padeklaruara. Edhe emigrantët e kanë gjetur një mënyrë për të hyrë në sistem atje ku jetojnë pasi ndryshe nuk mbijetojnë.
Marrim rastin kur një qytetar është i detyruar të paguajë 23 përqind apo më shumë tasa. Ai që ka shmangur dhe ka bërë evazion do të paguajë 7 përqind. Kush është mesazhi për shoqërinë, ata që kanë paguar deri tani dhe kanë punuar ndershëm?
Qeveria nuk ka ndonjë nevojë për para që bën amnistinë fiskale, pasi buxheti i shtetit ka të ardhura më shumë se sa ishte parashikuar si pasojë e rritjes së çmimeve”, tha Salianji