Policia ka zbardhur detajet mbi sherrin e ndodhur një ditë më parë për shezlonget në Shëngjin që degradoi me përdorimin e lopatave.
“Pas veprimeve hetimore, u bë zbardhja e plotë e dinamikës së këtij konflikti për motive pronësie, në të cilin u përfshinë shtetasit A.(P). D. dhe E. D. me shtetasit A. M. dhe E. M.”– bën me dije policia.
Sipas uniformave blu, ishte Paris Deda ai që goditi Armando Markun me sende të forta (lopata), duke I shkaktuar dëmtime poshtë vetullës. Ky i fundit ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
48-vjeçari Paris Deda u shpall në kërkim, dhe po ashtu u proceduan penalisht në gjendje të lirë edhe vëllai i Markut i cili akuzohet se goditi një grua.
Njoftimi i Policisë
Në vijim të informacionit paraprak për konfliktin e ndodhur ditën e djeshme, në Kune, Shëngjin, ju informojmë se:
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, pas veprimeve hetimore, u bë zbardhja e plotë e dinamikës së këtij konflikti për motive pronësie, në të cilin u përfshinë shtetasit A.(P). D. dhe E. D. me shtetasit A. M. dhe E. M.
Në vijim të veprimeve procedurale u bë shpallja në kërkim e shtetasit A.(P). D., 48 vjeç, banues në Shëngjin, pasi ka goditur me sende të forta shtetasin A. M., 45 vjeç, banues në Shëngjin, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, në lidhje me këtë konflikt, u referuan materialet procedurale në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit E. M., 41 vjeç (vëllai i shtetasit A. M.), banues në Shëngjin, pasi ka goditur shtetasen E. D., 46 vjeçe, banuese në Tiranë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, në ngarkim të shtetasit A.(P).D., dhe për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, në ngarkim të shtetasit E. M.