Vendosni fjalën kyçe....

Berisha për protestën e 7 Korrikut: PD shkon me një koalicion të gjerë drejt saj, shqiptarëve po u shtrëngohet laku në fyt çdo ditë


Ish-kryeministri Sali Berish ka folur sot në mbledhjen e Kryesisë për protestën që ka thirrur në datën 7 korrik.

 Berisha thotë se kjo protestë ka një rëndësi shumë të madhe dhe thekson se PD shkon në këtë protestë me një koalicion të gjerë me shoqërinë civile, me personalitete aktive në jetën publike dhe me forca politike opozitare të vërteta parlamentare dhe jo parlamentare.

Ai denoncoi Bordet e ngritura nga kryeministri Edi Rama për kontrollin e çmimeve të rritura nga kriza.

“Kjo protestë ka një rëndësi shumë të madhe, jo si një protestë e Partisë Demokratike por si një protestë e mbarë qytetarëve shqiptarë.

Nuk ka dyshime se roli i PD-së në organizimin e kësaj proteste është përcaktues, por PD shkon drejt kësaj proteste me një koalicion të gjerë me shoqërinë civile, me personalitete aktive në jetën publike dhe forca politike opozitare të vërteta parlamentare dhe jashtë parlamentare.

Unë kam informacionin se degët kanë filluar aktivitetin, kanë filluar takimet, por ajo që kërkoj është intensifikimi maksimal i përpjekjeve tona në mënyrë që kjo protestë të shprehë të gjithë shqetësimet e mëdha, problemet madhore me të cilat përballen sot shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë dhe nuk ka dyshim se problemi më kryesor është një lak në fytin e shqiptarëve që po shtrëngohet çdo ditë e më shumë nga çmimet stratosferike të Bordeve komuniste të qeverisë së Edi Ramës.

Unë mund t’u them shqiptarëve se Bordet për llogari të qeverisë dhe të oligarkëve janë shndërruar në një mekanizëm gjakpirës, të cilët rrisin çmimet jashtë çdo lloj llogjike tregu. Dy ditë më parë fuçia e naftës në bursë ka qenë 108 Dollarë, nafta në treg ka qenë 2 mijë e 600 e sa lekë. Një muaj më parë kur fucia e naftës ka qenë po 108 dDollarë, litra e naftës në tregun shqiptarë ishte 2 mijë e 240 Lekë.

Pra Bordet janë bërë zëdhënëse të një shfrytëzimi të egër të qytetarëve shqiptarë. Nuk ka asnjë mundësi tjetër dhe arsye tjetër që kokrra e vezës, litra e qumështit, kilogrami i djathtit. Dhe çfarë djathi se gjysmën e bëjnë me qumësht pluhur, të kushton në Shqipëri më shumë se mesatarja e çmimit në BE. Kush e bën këtë? E bën Bordi dhe këto që ju them janë statistika zyrtare të Institutit që kontrollohet nga Edi Rama.”– deklaroi Berisha.