Vendosni fjalën kyçe....

Hetimet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit/ Lulzim Basha: Çdo shqiptar e ka të qartë edhe më shumë sot si Rama përdori policinë për të mbrojtur blerjen e votave


Ish-kryetari i PD-së Lulzim Basha ka reaguar lidhur me përfundimin e hetimeve nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore për vrasjen e Pjerin Xhuvanit katër ditë para zgjedhjeve të 25 Prillit.

Në një postim në Facebook, Basha shprehet se sot çdo shqiptar e ka të qartë edhe më shumë sot se si kryeministri Edi Rama ka përdorur policinë për të mbrojtur blerjen e votave.

“Çdo shqiptar e ka të qartë edhe më shumë sot se si Rama e ka përdorur policinë për të mbrojtur blerjen e votave. Vendimi i djeshëm tregon se si policia e shtetit u vu në shërbim të bandave me urdhër të Edi Ramës në masakrën zgjedhore të 25 prillit.

Para drejtësisë duhet të vihen urgjentisht edhe ish-drejtori i policisë dhe prokurori i Elbasanit që gënjyen publikisht për të fshehur të vërtetën. Asnjë ushtar politik i sotëm apo i djeshëm i Suel Çelës nuk mund të manipulojë të vërtetën e kësaj ngjarje, ku policia dhe krimi u bënë bashkë për të blerë vota dhe që fatkeqësisht çoi në viktima.”– shkruan Basha i cili ka shpërndarë edhe një video nga deklarata e drejtorit të policisë së shtetit Ardi Veliu në atë kohë i cili mbronte teorinë se gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes nuk ishin konstatuar sende të kundraligjshme.