Vendosni fjalën kyçe....

Tentativë për arratisje nga burgu në Kolumbi, 49 viktima nga zjarri


Të paktën 49 të burgosur u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën mengjesin e së martës gjatë një tentative arratisjeje nga një burg në Kolumbi.

Lajmi u konfirmua nga një zyrtar kolumbian i Agjencisë Kombëtare të Burgjeve për AFP-në.

“Deri më tani janë 49 të vdekur”, tha një zëdhënës i Agjencisë Kombëtare të Burgjeve, duke shtuar se numri nga qyteti i Tulua ishte paraprak dhe “mund të ndryshojë”.

Tragjedia ndodhi gjatë një tentative arratisjeje që shkaktoi edhe një zjarr që përfshiu të gjithë godinën. Sipas të dhënave paraprake, më shumë se 40 persona janë lënduar.

Presidenti në largim Ivan Duque postoi në Twitter duke ofruar solidaritetin e tij me të afërmit e viktimave.

“Na vjen keq për ngjarjet që ndodhën në burgun në Tulua, Valle del Cauca,” tha Duque.

“Kam dhënë udhëzime për të sqaruar këtë situatë të tmerrshme. Solidariteti im është me familjet e viktimave.”

Trazirat fatale të burgjeve nuk janë të rralla në Amerikën Latine. Në Ekuadorin fqinj të Kolumbisë, rreth 400 të burgosur janë vrarë në gjashtë trazira që nga fillimi i vitit 2021.