Vendosni fjalën kyçe....

Dhoma Amerikane i ankohet Doganave për problemet me E-Albania, Gazheli: Po punojmë me AKSHIN t’i zgjidhim


Dhoma Amerikane është ankuar për mosfunksionimin e shërbimeve online, që pas kalimit online të sporteleve duke nisur nga 1 Maji që ka sjellë një sërë problematikash për bizneset.

Ankesat e 225 kompanive të anëtarësuara në Dhomën Amerikane u ngritën gjatë një takimi me drejtorin e Doganave, Gent Gazheli.

“Ne po vuajmë të gjithë nga sistemi online aktualisht sepse edhe në administratat e tjera është vendosur sistemi nga 1 Maji dhe ka probleme që po i ndjejnë dhe nuk janë zgjidhur ende.”- tha kryetarja e Komitetit të Taksave të Dhomës Amerikane Alketa Uruci.

Këto problematika të krijuara për shkak të kalimit të shërbimeve online u pranuan nga drejtori i përgjithshëm i Doganave Gent Gazheli.

Gjatë fjalës së tij, Gazheli tha se janë duke punuar me AKSHIN për të rregulluar sistemin.

“Ne po punojmë me AKSHIN por dhe me strukturat të cilat e mirëmbajnë sistemin për zgjerimin e kapacitetit. Është e vërtetë që rast pas rasti mund të ketë pasur problematika por ju siguroj që kapacitetet përpunuese të deklaratave në sistemin janë rritur kështu që mendoj që në të ardhmen nuk do të ketë problem.”– tha Gazheli.