Frika nga një “Gërdec i dytë” ka nxjerrë përsëri në protestë banorët e Porto Romanos.
Për të dytën herë në harkun kohor të 10 ditëve, ata kanë protestuar kundër depozitave gjigante të gazit, të cilat ndodhen shumë pranë banesave të tyre.
Ata kanë frikë për ndonjë shpërthim të mundshëm, mbi të gjithë pas ngjarjes së ndodhur para 10 ditësh, ku fabrika e depozitave të gazit u përfshi nga flakët.
“Kjo është një fushë e minuar, në qoftëse do pëlcasë këtu çdo banor do marrë nga një gaz, do vejë deri në Durrës. 500 metra e kemi këtej, ti vënë gishtin kokës po s’kanë nxjerrë mësim nga ai Gërdeci është kot. Edhe kryeministri i vendit, është kot të vejë dhe të prononcohet… dua ta lidh me shqetësimet që s’shfaqin asnjë nga këshilltarët këtu. Po të jetë puna unë jam i majtë. Ama po të jetë puna për jetën e njerëzve… Dhe ata që më dëgjojnë të thonë ‘e paska ngritur zërin filani’. Por ama të vemi në Ukrainë dhe të themi u minua ne na vjen keq kur njerëzit mund të vdesin. Tani mund të shpërthejë ajo. E ke jetën të sigurtë ti që ke ardhur këtu? Këtu duhet të shqetësohemi. Për këtë duhet të na mbështesni shumë. O ky të bllokohet, nuk duam ne t’I lëmë pa u zhvilluar.
Në fillim na kanë ardhur dhe na janë prezantuar si biznese kozmetike, apo nuk është kështu? E kemi lejuar dhe më pas e kanë bërë depozitë gazi.”- shprehet një prej banorëve.
Nëse institucionet nuk veprojnë, banorët kërcënojnë me bllokimin e rrugës.
“Nëse shteti nuk reagon ne jemi të detyruar të bllokojmë edhe objektin, edhe rrugën. E thjeshtë fare. Ne jemi shqiptarë, nuk jemi serbë këtu.”- tha një banor.
Një prej protestuesve, Artion Barjamaj tregoi rrugët ligjore që do të ndjekin deri në zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi.
“Çdo qytetar i Durrësit të vendoset në pozicionin e këtyre familjeve dhe të mendojë se do të ketë 12 depozita, kanë nga 1 mijë ton gaz secila prej depozitave dhe të mendojnë se mund ta kenë te dera e shtëpisë. Përsa i përket hapave të tjerë, bashkë me banorët kemi vendosur që të krijojmë Komisionin për Porto Romanon, që do të përbëhet nga banorët e zonës, njerëzit që do jenë më aktivë për këtë kauzë, që kanë më shumë hallin dhe që do ndihmojnë për këtë iniciativë, Komisionin do ta themelojmë sot. Hapat e tjerë që do ndiqen, do dërgojmë dokumente zyrtare tek Bashkia e Durrësit, tek Ministria e Mjedisit, tek Avokati i Popullit, tek Komisioneri për Diskriminimin. Do vazhdojmë të përshkallëzojmë me iniciativën tonë derisa të kemi zgjidhje.”- tha ai.