Partia Demokratike ka bërë me dije detaje të reja lidhur me protestën e 7 Korrikut. Përmes një njoftimi për mediet, PD bën me dije se në përgatitje të protestës do të hapë selinë dhe foltoren e saj për shqiptarët.
Qytetarët ftohen të hyjnë në seli për të shpallur shqetësimet e tyre personalisht dhe jo përmes përfaqësuesve politikë. E para që do të nisë serinë e daljeve publike është Artemisa Halili, nëna e një fëmije 6 vjeç, stomatologe.
E quajtur ndryshe “Fronti i Shpëtimit Kombëtar”, protesta e 7 korrikut duket se ka tashmë edhe një slogan.
“Mos thuaj ç’më duhet mua.”– shkruhet në mesazhin për qytetarët në sloganin me sfondin ngjyrë blu.
Njoftimi i plotë
Partia Demokratike me idenë e hapjes ndaj shoqërisë, dhe në përgatitje për frymën popullore të protestës së 7 korrikut, do të hapë selinë dhe foltoren e saj për shqiptarët.
Për herë të parë, të rinj e të reja, burra e gra, profesionistë dhe fermerë, njerëz nga të gjitha fushat e shoqërisë, do të hyjnë në seli për të shpallur shqetësimet e tyre personalisht, dhe jo nëpërmjet përfaqësuesve politikë.
Partia Demokratike, në kontratën e re sociale me shoqërinë, fton të gjithë shqiptarët që duan të ngrenë zërin, të na bashkohen çdo ditë në foltoren e selisë dhe më 7 korrik në shesh. Serinë e daljeve e hap sot Artemisa Halili, nëna e një fëmije 6 vjeç, stomatologe. Lidhja live në ora 11 nga selia e PD-së.